Sistemi i sigurisë në dy organizmat ajrorë, në Aeroportin e Prishtinës dhe në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ka dështuar në një testim të bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të dy këto organizma nuk kanë arritur të detektojnë personat e infiltruar, që të armatosur kanë arritur t’i kalojnë të gjitha sistemet e sigurisë.
Ministria e Brendshme ka pranuar se operacioni ka ndodhur por ka siguruar se sistemi i sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror është brenda standardeve të parapara.
Ministria e Infrastrukturës ka thënë se pavarësisht që Aeroporti nuk është në kompetencat e tyre, ministri Pal Lekaj do ta ftojë në një takim sqarues drejtorin e Aeroportit të Prishtinës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk ka dashur të komentojë për rastin.
Zëdhënësja, Valentina Gara, tha se javën e ardhshme pritet të dalin me një raport zyrtar për çështjen. Të heshtur kanë qëndruar edhe zyrtarët e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
COMMENTS