Derisa Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë ankesën e mbrojtjes në rastin e deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zekës duke e lënë në burg shtëpiak, avokati mbrojtës Gazmend Halilaj beson se klienti i tij do të lirohet në procedurë të rregullt pas përfundimit të kësaj mase prej 30 ditësh.
Ai për Gazeta Blic ka theksuar se po pret që me skadimin e këtij afati klienti i tij të lirohet në procedurë të rregullt.
”Ankesa është shqyrtuar, ka mbet në fuqi vendimi i Gjykatës Themelore, mirëpo tash po presim që me skadimin e afatit prej 30 ditësh të lirohet në procedurë të rregullt sepse nuk kemi asnjë njohuri që prokurori do të bëjë kërkesë për vazhdimin e kësaj mase.”, tha ai.
Sa i përket mundësisë për vazhdim të kësaj mase të përkohshme nga Gjykata, Halilaj citoi Kodin e Procedurës Penale, përkatësisht nenin 1.9.1 pika 2 me anë të cilit në rast se do të vazhdohet dënimi 3 ditë më herët të jepen propozimet dhe kundërshtimet pastaj nga pala mbrojtëse.
”Në bazë të nenin 1.9.1 pika 2 të Kodit të Procedurës Penale, Prokurori obligohet që nëse bën propozim për vazhdim të paraburgimit 3 ditë më herët të na njoftojnë neve para vazhdimit të afatit të vijnë me propozim dhe ne t’i japim propozimet tona, kundërshtimet tona.”, shtoi ai për Gazeta Blic.
Avokati Halilaj gjithashtu shtoi se nuk ka informacion se a do t’i vazhdohet masa e njëjtë klientit të tij, derisa shton se është e panevojshme, e paarsyeshme dhe e pambështetur në ligj.
”Nëse prokurori bën propozim atëherë do të mbahet seancë dëgjimore dhe prokurori dhe mbrojtësi do paraqesin propozimet e tyre, prokurori e mbështet propozimin që e bën, mbrojtësi e kundërshton në tërësi dhe i paraqet argumentet të cilat e arsyetojnë që propozimi i prokurorit është i paarsyeshëm, i pa mbështetur në dispozita ligjore, pastaj i mbetet gjykatës të vendos për atë çështje.”, përfundoi ai.
Kujtojmë se deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka është arrestuar me datën 16 tetor, përkatësisht 24 ditë më parë për mashtrim me viza dhe ikje nga tatimi.Zekës iu caktua masa e arrestit shtëpiak për periudhë një mujore, dhe një gjë e tillë nuk u rishikua edhe pas kërkesës së avokatit drejtuar Gjykatës së Apelit, ku pretendohej lirimi i tij.
COMMENTS