Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa në intervistë në RTV Dukagjini ka rrëfyer momente të dhimbshme për të kaluarën e tij.
Besiani është edhe biri i veprimtarit vrarë të LDK-së, i cili edhe kishte qenë zëdhënës i LDK-së gjatë viteve të ‘90, Xhemail Mustafa.
Ai thotë se në vitet kur ishte 16-vjeç, me babin nuk kishte pasur shumë biseda për politikën apo situatën e kohës, por vetëm për historinë e popullit shqiptar.
“Babai nuk dëshironte që situatën e zymtë të Kosovës të reflektonte edhe të unë, si adoleshent që isha”, rrëfen Beriani.
I biri i Xhemajl Mustafës, rrëfen momentin kur ai e kuptoi se babai i tij ishte plagosur dhe që më pas nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Momentin kur e kanë vrarë babin unë isha në shkollën “Sami Frashëri” duke vijuar mësimet. Kanë ardhur të më marrin motra Besiana me drejtorin e shkollës në atë kohë, dhe si 16 vjeçar unë nuk e dija çfarë po ndodhte. Në veturë më treguan se babai ishte plagosur-kjo ishte informata që e kishim në ato momente. Jemi kthyer te banesa në Dardani. Kishte ardhur një policë i UNMIK-ut dhe më kishte pyetur nëse unë dija anglisht. Pasi unë i kisha thënë po, ai më kishte thënë ngushëllime babai juaj nuk ka arritur të mbijetojë”, rrëfen Beriani momentin që ai e konsideron më të vështirin në jetë.
“Edhe pse kishim dhimbje të madhe, nuk dinim si të vepronim pasi banesën tonë e kishin vërshuar media të ndryshme ndërkombëtare. Ata na thonin se e kuptojmë se keni dhimbje të madhe, por bota duhet të dijë se çfarë ka ndodhur sot në Kosovë”, tregon më tej Beriani.
Zëdhënësi i LDK-së, tregon edhe bisedën që kishte me Presidentin Rugova në atë kohë, pas vrasjes së babait të tij.
“Presidenti Rugova më shumë mundohej të na ngushëllonte dhe të na jepte shpresë për të ardhmen, e mbi të gjitha na jepte shpresë se së shpejti do të zbulohej se kush ishte urdhërdhënësi i vrasësit të babait”, tregon i biri i veprimtarit të LDK-së, i cili shton se për familjen Mustafa “mbetet tepër e rëndësishme të dihet kush ishte urdhërdhënësi i vrasjes së babait tim”.
Për familjen Mustafa, Beriani thotë se nuk janë të rëndësishëm emrat që kanë qarkulluar në media si vrarës të Xhemajl Mustafës, por “fillimi i gjykimit dhe dënimi i vrasësve të babit tim dhe veprimtarëve tjerë të LDK-së”.
Ai thotë se është e thjeshtë se vrasja e babit të tij ka ndodhur për arsye politike.
Beriani tregon se pas shtatë viteve në SHBA ai ka vendosur të kthehet në Kosovë dhe të kontribuoj në zhvillimin e shtetit.
“Kam punuar në banka komerciale e agjenci të ndryshme, por tani kam vendosur të bëhem zëdhënës i LDK-së”, thotë ai.
Si ekonomistë që është, Beriani thotë se këto 20 vite në Kosovë janë marr shumë me politikë e shumë pak me ekonomi.
“Nëse merremi me ekonomi dy dekadat e ardhshme, kemi potencial që ta mbamë rininë në Kosovë”, deklaroi Besian Mustafa.
COMMENTS