Zinedin Zidan njoftoi një konferencë shtypi surprizë për të zyrtarizuar largimin e tij nga Reali i Madridit, një rrufe në qiell të hapur për tifozët e skuadrës së rikonfirmuar kampione e Europës.
Tekniku francez rrëfeu vendimin e pakthyeshëm në qendrën e Valdebebas, duke lënë skuadrën spanjolle në kulmin e suksesit, pas plot 878 ditësh në drejtim dhe 9 titujsh të fituar.
“Vendosa të mos vazhdoj më në pankinën e Real Madrid. Është moment i vështirë por i rëndësishëm. I dua të mirën kësaj skuadre dhe presidentit e për këtë, është e drejtë që ekipi të ndryshojë. Mund të jetë një mirëupafshim pasi do vazhdoj të mbështes Realin”tha Zinedin Zidan.
Ish mesfushori i Realit arriti të impresionojë me sukseset në pankinë, por tani vendos të largohet pa zbuluar se kush do të jetë hapi i ardhshëm në karrierë.
Dorëheqja e Zidane nga Real nuk duket se është ndikuar nga ndonjë klub tjetër, pasi vetë trajneri ka theksuar se ka nevojë për një pushim, e nuk do të drejtojë asnjë skuadër tjetër.
“Kam një dashuri të madhe për këtë klub, për këtë arsye dua që të jem pranë tij gjithë jetën”, u shpreh Zidane./tch
COMMENTS