Drejtësia burgos për 20 euro, toleron hajnitë milionëshe!

Drejtësia burgos për 20 euro, toleron hajnitë milionëshe!

Përcillet Rexhep Çeliku

Kelmendi: Kosova vazhdon të mbetet oazë e krimit, korrupsionit e kontrabandës

“Edhe në luftimin kundër korrupsionit janë dy qasje. Burgosi për 20 euro…dënoi për dëmtim pylli… dënoi për tregti me bagëti e në anën tjetër tolero hajnitë milionëshe, tolero privatizimet, tolero burimet nga paguhen angazhimet e avokatëve të huaj. Fali të gjithë keqbërësit e mëdhenj dhe mbyti fukarenjtë”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit në vend, duke analizuar funksionimin e dobët të drejtësisë dhe të prokurorisë dhe skajshmërisht të ndikuar ashtu edhe nga politika, theksojnë se Kosova po rrëshqet nga një shtet i qeverisur mirë, demokratik, në një “mbretëri” të sunduar nga nëntoka kriminale. Sipas njohësve të kësaj fushe,  është pikërisht sistemi  i brishtë dhe i shitur i drejtësisë që po krijon në vazhdimësi njerëz të fortë të nëntokës, të cilët nuk pyesin më për ligje dhe nuk i frikësohen më ligjit e drejtësisë, që edhe ashtu fitohet përshtypja se nuk ekziston fare realisht.

Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja se deri kur nëntoka kriminale me politikanët e nivelit të lartë do ta sundojnë e qëndrojnë gjithnjë “mbi ligjin”, në vend që ligji të sundojë në tërë Kosovën e nëpërkëmbur, dhe pse duhet ta kemi akoma këtë gjendje, që sa më e dobët që të jetë drejtësia kundër kriminelëve, aq më të fortë bëhen kriminelët mafiozë në vend. Sipas njohësit të kësaj fushe, Hasan Preteni, me këtë sistem aktual të drejtësisë pritjet janë të kota për luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Madje Preteni ironizon me kinse përpjekjet që po bëhen në këtë fushë nga ana e institucioneve të ligjit.

“Mundë të them se “sinjalet e para se po luftohet korrupsioni” veç sa kanë filluar! Një zyrtar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njësiti në Podujevë, është arrestuar pasi që mori 20 euro ryshfet. Liberalizimi te dera!!! Kjo është simbolika se si në Kosovë po trajtohet lufta kundër korrupsionit”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

Preteni: Trekëndëshi famëkeq

“Sa e sa raste nuk hapen, sa e sa raste përfundojnë pa filluar. Se të gjithë kosovarët i kanë nga 2-3 milionë nuk është problem e se sa i moshuari rri para sporteleve të bankave me ditë të tëra vetëm për t’i marrë ato 75 euro,  ky është realiteti. Disa nga politika si normë e kanë 2 milionëshin e disa të tjerë 75 euro dhe kontejnerin. Edhe në luftimin kundër korrupsionit janë dy qasje.

Burgosi për 20 euro…dënoi për dëmtim pylli..dënoi për tregti me bagëti e në anën tjetër tolero hajnitë milionëshe, tolero privatizimet, tolero burimet nga paguhen angazhimet e avokatëve të huaj. Fali të gjithë keqbërësit e mëdhenj dhe mbyti fukarenjtë. Pra, kjo nënkupton që të  gjithë ata që nuk janë pjesë e trekëndëshit famëkeq: politikë-gjyqësi-biznes, janë të paragjykuar për linçim dhe dëbim nga vendi”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Haziri: Të fortët e pushtetit, mbi ligjin

Analisti politik Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se  Kosova si shtet që akoma është në tranzicion, që akoma nuk i ka ndërtuar dhe funksionalizuar të gjitha shtyllat funksionale dhe të pavarura të shtetit, por që akoma ndikohen dhe monitorohen, madje edhe diktohen nga faktori ndërkombëtar, ka mbetur  me një mekanizëm  shumë të dobët të sistemit të drejtësisë, sepse ky sistem po i konvenon edhe vetë politikës, për të zhvatur të mirat materiale dhe duke mbajtur peng vendin në procesin e rrugëtimit në integrimet evropiane.

“Duke qenë kështu  edhe janë krijuar njerëz të fuqishëm, të cilët qëndrojnë mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën. Ky ndërtim gradual i shtetit dhe ky transformimi i brishtë i sistemit të drejtësisë nga mandati me një kornizë kushtetues e ligjore të dobët gjatë administrimit të UNMIK-ut dhe tranzicionit të EULEX-it, sikur ka rrëshqitur aksidentalisht në një mandat të jashtëligjshëm e në shërbim të një grupi të vogël njerëzish, duke devijuar nga mandati ligjor e kushtetues, prandaj edhe është duke shkuar në ekstrem drejtë ngufatjes së jetës institucionale, sociale, politike dhe ekonomike”, u shpreh ai.

“Më të vërtetë, me këtë gjendje të krijuar, fuqia e shtetit ligjor është reduktuar thënë simbolikisht në një objekt të plastikës që e sjell dhe e thyen dhe e dredhon sipas situatës dhe interesit. Krejt kjo lë të kuptojmë se janë të fortët ata që vazhdojnë ta bëjnë ligjin sipas interesave të tyre. Të fortët përcaktojnë edhe mënyrën se si duhet ta interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën ligjzbatuesit në sistemin e drejtësisë, sepse ata janë përcaktuesit e kornizës së interesave të tyre “ligjore e Kushtetuese”, tha Haziri për “Kosova Sot”. Në një shtet të tillë, sipas Hazirit, janë të kota pritjet për shtet ligjor. “Prandaj, situata vazhdon të jetë dekurajuese, pa optimizëm në pritjet pozitive për një të ardhme më të afërt, sepse nuk mund të gjendet rrugëdalje e shpejtë nga   rruga pa krye kur ligjin e shkelin ligjformuesit dhe ligjzbatuesit.

Ata e bëjnë këtë sepse i kanë “gardianët” e tyre për t’i amnistuar dhe jo për t’i gjykuar. Fatkeqësisht kjo lloj mendësie e mbrapshtë ka qenë në të kaluarën dhe  po vazhdon akoma në trendin e njëjtë, duke e bllokuar Kosovën edhe në procesin e integrimit në të gjitha  mekanizmat relevantë me peshë ndërkombëtare të sigurisë”, potencoi Haziri për “Kosova Sot”.

Republika, oazë e krimit

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi konsideron po ashtu se Kosova si shtet në tranzicion vazhdon të mbetet oazë e krimit, korrupsionit e kontrabandës, sepse në veprim, respektivisht mosveprim, kemi një sistem të drejtësisë tepër jofunksional, të brishtë dhe të ndikuar nga grupet e interesit.

Sipas tij, këtë fakt e ka konstatuar dhe denoncuar që në fillim të misionit të tij diplomatik në Kosovë edhe ambasadori amerikan, Philip Kossnet, i cili  këtë fenomen e ka vendosur në thumb të kritikës dhe tani mbetemi me shpresë që po ky diplomat do të jetë dhe iniciues i ligjit VETTING, pa të cilin nuk mund të ketë sistem efikas e të pavarur të drejtësisë kosovare.“Do theksuar se kjo logjikë e funksionimit është instaluar nga të gjitha qeveritë pas luftës, të cilat falë mekanizmit të ndikuar dhe të kapur të drejtësisë kanë siguruar lirinë e përkohshme, por të vazhdueshme, kontrollimit të thellë të sistemit të drejtësisë, duke e nxjerr atë jashtë funksionit ligjor e kushtetues. Kontrolli i këtij sistemi bëhet me  insistimin që me çdo kusht për të qenë në pushtet apo pjesë e pushtetit dhe për ta ruajtur atë pozitë. Mos të harrojmë se edhe ambasadori amerikan, Philip Kossnet, është shpresë dhe mundësi për shkapjen e shtetit nga politika, e cila ka ngulfatur jetën institucionale, politike e ekonomike”, u shpreh ai.

“Deklarata kritike e ambasadorit  Kossnet në fillim të mandatit të tij ka qenë brenda kornizave reale të gjendjes faktike dhe mbetet një sinjal për reflektim të institucioneve të drejtësisë, por edhe një alarm për ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Pra, nga ky këndvështrim, edhe inicimi i Ligjit të Vetting-ut është një shpresë për ndryshime në sistemin e drejtësisë, por duhet ekzistuar parakushtet për këto ndryshime rrënjësore, duke filluar nga vullneti politik, presioni i vazhdueshëm edhe i aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo politikë nuk ka vullnet që ta lërë drejtësinë e pavarur dhe në rrafshin profesional.

 Kelmendi: Kosova, oazë e krimit e korrupsionit

“Unë mendoj se hallka zinxhirore e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë vjen si pasojë e kapjes, sepse drejtësia  është kapur nga e gjithë politika sunduese të  pasluftës dhe në këtë mënyrë nuk mund të presim drejtësi të pavarur dhe efikase.

Kapja ka ndodhur në të gjitha instancat, edhe në nivelin mbikëqyrës e kontrollues të sistemit të drejtës, që kontrollojnë Prokurorinë dhe gjykatat, duke filluar nga KPK-ja dhe KGJK-ja, dhe institucionet tjera mbështetëse të sistemit të drejtësisë që  të politizuara dhe kryesisht në shërbim të politikës. Tanimë botërisht është e ditur se si në KPK dhe në KGJK janë të vendosur njerëz politikë, jokredibilë, joprofesionalë dhe për këtë arsye kemi një gjendje mjerueshme në sistemin e drejtësisë. Kapja e sistemit ka ndodhur në kontinuitet dhe në mënyrë të orkestruar.

Prandaj ne po insistojmë në një VETTING, sepse ndryshe, me këtë frymë të instalimit politik, nepotik e klientelist, sistemi i drejtësisë në vend që ta jetësojë shtetin e së drejtës dhe të jetë në funksion të ligjit e Kushtetutës, paanshmërisë e profesionalizmit, do të vazhdon të mbetet i shndërruar në oazë të krimit e korrupsionit. Prandaj, ne po vazhdojmë të themi seVetting-u  është shpresë dhe mundësi për Prokurorinë dhe  gjyqësorin, është një mundësi që do krijon një gjendje të re për të qenë 100% profesional, efektiv dhe i pavarur nga politika dhe grupet e interesit kriminal”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)