jë rast i rëndë është raportuar sot në rajonin e Gjakovës, ku një grua dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës duke konsumuar medikamente.
Ngjarja ka ndodhur më 02.02.2026, rreth orës 11:30, në rrugën “Xhemë Sadrija”, në fshatin Cërmjan të Gjakovës.
Sipas informatave nga Emergjenca në Gjakovë, viktima B. H. fillimisht është paraqitur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Cërmjan, duke kërkuar ndihmë mjekësore pasi nuk është ndier mirë. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe dyshimeve se kishte konsumuar medikamente, ajo është shoqëruar urgjentisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Burime mjekësore bëjnë të ditur se gjendja e saj është e rëndë dhe se ajo ndodhet në gjendje komatoze, ndërsa pritet të transferohet në QKUK për trajtim të mëtejmë specialistik.
Lidhur me rastin, në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar vëllai i viktimës, i cili ka deklaruar se nuk dyshon që motra e tij të jetë shtyrë nga ndonjë person tjetër, por beson se veprimi mund të lidhet me gjendjen e saj depresive. Ai ka pohuar gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që viktima dyshohet se ka përdorur medikamente në rrethana të tilla.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa Prokurori kujdestar ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vetëvrasje në tentativë”.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.


COMMENTS