Edhe partitë në pushtet kërkojnë që të rritet roli i Kuvendit në dialogun me Serbinë

Edhe partitë në pushtet kërkojnë që të rritet roli i Kuvendit në dialogun me Serbinë

Sejdi Smajli, sonte niset për shërim nga leukemia në Turqi

Në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazën finale, partitë opozitare ishin më të zëshme duke kërkuar që Kuvendi të ketë një rol më të madh në fazën e fundit të diskutimeve. Por, një gjë të tillë po e kërkojnë edhe subjektet politike që janë në pushtet.
Partia Demokratike e Kosovës dhe AAK-ja, po thonë se çdo marrëveshje e arritur në Bruksel, do të duhej të diskutohet edhe në Parlamentin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica thotë për lajmi.net se kërkesën që Kuvendi të ketë rol më të madh në dialog, e ka parashtruar gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Kjo sipas tij, duhet bërë në mënyrë që të ketë transparencë dhe llogaridhënie.

“Kjo nuk është shpijke e opozitës realisht ne mandatin e kaluar kam qenë Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, dhe në atë cilësi me KDI-në pasi që Kryetari Kuvendit ka nënshkruar një marrëveshje për transparencë dhe llogaridhënie, i kemi mbajt një varg takimesh ku kemi kërkuar që të rritet roli dhe ndikimi i Parlamentit në bisedimet Kosovë-Serbi”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Sipas Reçicës, çdo marrëveshje që arrihet ndërmjet dy shteteve, do të duhej të shkonte për diskutim dhe miratim edhe në Kuvend.

“Normalisht si çdo marrëveshje e cila arrihet mes plaëve do të duhet të vijë dhe të ratifikohet në Kuvend. Që ta ketë mbështetjen përmes deputetëve, përmes parlamentit dhe qytetarëve”, ka thënë anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme.

Një rol më të madh të deputetëve dhe partive politike në diskutimet me Serbinë, po e kërkon edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.

Kjo e fundit ka thënë për lajmi.net se dialogu me Serbinë duhet të jetë më transparent, dhe në të cilin duhet të përfshihen edhe akterë tjerë.

“Dy herë në komisionin për punë të jashtme ka raportuar Avni Arifi për dialogun teknik. Edhe pse s’ka pasur ndonjë marrëveshje në këtë legjislaturë. Aktualisht qëllimi është implementimi i këtyre marrveshjeve dhe ne kemi kërkuar transparencë, pasi mostransparenca e qeverisë së kaluara ka sjellur shumë probleme”, ka thënë deputetja e AAK-së për lajmi.net.

Zv/kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme tutje thotë se është me rëndësi të veçantë, që liderët nga të gjitha subjektet, të marrin pjesë në diskutimet me shtetin serb.

“Është kërkesë që me u përfshi të gjithë akterët, të gjitha partitë parlamentare me u përfshi në dialogun me Serbinë. Është shumë e rëndësishme pasi sa më shumë pjesëmarrje në dialog është më mire”, ka përfunduar Time Kadriaj.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë tash e sa kohë ka kaluar në nivel presidentësh. Thaçi e Vuçiq për herë të fundit u takuan më 23 mars.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka insistuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. /B.B/Lajmi.net/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)