Ekipet për shpëtim dhe ekspertët për vlerësimin e situatës të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave të Kosovës, kanë mbërritur në qytetin e Fierit të Shqipërisë, ku kanë filluar operacionet e shpëtimit.
Këto ekipe janë nisur sot në mëngjes me miratimin e Flamur Sefajt, ministrit të Punëve të Brendshme.
“Ekipet tona të shpëtimit janë pritur nga drejtori i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Shemsi Prenqi dhe bashkërisht do të veprojmë në ndërhyrje për shpëtim në vendet më të prekura në rajonin e Fierit”, thuhet në komunikatën për media.
“Një pjesë e ekipit tonë, i cili është i përgatitur sipas standardeve evropiane nga projekti “IPA Flood” dhe në kuadër të këtij programi është duke vepruar me ekipin homolog shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është duke kryer operacione në fshatin Novosellë të Fierit”.
Qyteti i Fierit është njëra nga zonat më të rrezikuara pas përmbytjeve, problemet më të mëdha deri më tani i ka shkaktuar dalja nga shtrati e lumit “Vjosa”.
Më herët edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka udhëzuar ministrin e FSK-së, Rrustem Berishën, që të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ndihmuar Shqipërinë pas përmbytjeve atje.
COMMENTS