Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të hënën se Turqia synon dhjetëshen e parë të shteteve më demokratike dhe më të zhvilluar ekonomikisht në botë.
“Ëndrra jonë është ta vendosim Turqinë në dhjetëshen e parë të shteteve më demokratike dhe me ekonomi më të zhvilluar”, tha Erdoğan në ceremoninë e hapjes së 80 shkollave dhe 59 sallave të edukatës fizike në Stamboll.
“Ashtu siç rritet, zhvillohet dhe forcohet Turqia, ashtu edhe ndryshon natyra dhe sasia e problemeve me të cilat përballemi. Puna jonë nuk është aspak e lehtë”, deklaroi Erdogan.
Presidenti Erdoğan foli edhe për operacionin ushtarak “Dega e Ullirit”, më saktësisht, për numrin e terroristëve të cilët Turqia i ka neutralizuar në kuadër të këtij operacioni, raporton Anadolu Agency.
Kreu i shtetit turk tha se që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” janë neutralizuar 3.872 terroristë.
Kujtojmë se operacioni “Dega e Ullirit” në Afrin nisi më 20 janar në përputhje me të drejtat e Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Më 18 mars Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) çliruan Afrinin, ndërkohë që kanë vazhduar aktivitetet për pastrimin e plotë të terrenit nga prania e pjesëtarëve të YPG/PKK-së të cilët janë fshehur në zonat malore.
COMMENTS