Java në vazhdim parashihet të jetë kritike dhe vendimtare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa vazhdon rezistenca e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kundërshtojnë demarkacionin, njëkohësisht janë shtuar edhe presionet në ta nga ambasador të vendeve të huaja, të cilët porosisin që kjo çështje të kryhet sa më parë në mënyrë BE-ja ta procedoj liberalizimin e vizave për qytetarët.
Ndërkaq në anën tjetër në lidhje me këtë çështje për Indeksonline është deklaruar edhe eurodeputeti Igor Soltes, i cili është raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, e i cili ka thënë se ratifikimi i demarkacionit i hap rrugë procesit të liberalizimit.
I pyetur nga Indeksonline se cilët do të jenë hapat e BE-së pas ratifikimit të demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, Soltes ka theksuar se në BE ka vullnet politik që të hiqen vizat për Kosovën, pasi kjo do të ishte reciprokisht e dobishme për të dyja palët, BE dhe Kosovën.
“Pasi që demarkacioni i kufirit të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, kjo hap rrugën për vazhdimin e procesit të regjimit pa viza për Kosovën në zonën Shengen. Jam pozitiv që ka vullnet politik në BE që të heqë vizat për Kosovën, pasi kjo do të ishte reciprokisht e dobishme për të dyja palët, BE dhe Kosovën”, ka thënë Soltes.
Sipas tij pas ratifikimit të demarkacionit, procedura për liberalizim mund të bëhet mjaft e shpejtë sidomos nëse ka vullnet politik në Këshillin dhe Parlamentin Evropian.
“Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, kjo do të kthehet në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian, pasi që vendimi i regjimit pa viza merret si një bashkë-vendim mes këtyre dy institucioneve. Këshilli Evropian ka nevojë për një shumicë të kualifikuar dhe shumicën e thjeshtë të Parlamentit Evropian. Procedura mund të bëhet mjaft e shpejtë sidomos nëse ka vullnet politik në Këshill dhe Parlament, të cilin mendoj se ka”, ka thënë në fund Igor Soltes. /Indeksonline/ (A.B)
COMMENTS