“Fake news”, sfida e kohës moderne

“Fake news”, sfida e kohës moderne

Albin Kurti kundërshtonte kandidimin e Dardan Molliqajt për deputet

Ndër sfidat me të cilat po përballet bota bashkëkohore, është lufta ndaj lajmeve të rreme, të njohura globalisht si “fake news”. Lajmet e paqena, zakonisht shfaqen, në ngjarjet me interes të madh për publikun ose në prag të tyre. Kjo sepse, mediet e shfrytëzojnë kureshtjen e masës për përfitime të ndryshme.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit në SHBA, një numër i madh i lajmeve të rreme vinin nga qyteti Veles i Maqedonisë. Ato krijoheshin nga një grup adoleshentësh. Njëri prej këtij grupi deklaroi, se gjatë kësaj kohe fitonte rreth 1800 € në muaj. Për shkak të përfitimeve të mëdha, këto lloj lajmesh të paqena, u përhapën në të gjithë botën.

“Fake news” edhe në Kosovë

Fushatës së lajmeve të rreme nuk i shpëtoi as ngjarja e cila ndodhi gjatë muajit Maj të këtij viti, ku si pasojë e një aksidenti, dy policë kishin rënë në lumin Lepenc. Kureshtja e madhe e publikut bëri që ky lajm të jetë në medie për dhjetë ditë. Përveç shkeljeve etike gjatë raportimit, rasti u mbulua edhe me shumë lajme të rreme, që prodhoheshin sidomos nga gazetarët e portaleve.

Sadat Kalisi nga Hani i Elezit është njëri nga shumë qytetarët që ra pre e këtyre lajmeve. Ai thotë se për herë të parë, në atë kohë, u përball me lajmin e rremë.

“Unë personalisht kam qenë në mesin e qytetarëve, që iu bashkuan vullnetarisht kërkimit të dy policëve në lumin Lepenc. Ka qenë njëra nga rastet më të prekshme që nga paslufta në rrethinën tonë, andaj mendoj që kjo ka bërë që çfarëdo lajmi që lexonim, ta merrnim si të mirëqenë. Por, nga ato raportime më ka rënë që për herë të parë të bie pre e lajmeve të rreme. Jepej lajmi se kinse është gjetur njëri nga policët dhe për pak minuta merrej vesh se ky lajm ishte i rremë. Mendoj se nga këto lloj lajmesh më së shumti janë dëmtuar familjet e dy policëve tashmë të ndjerë”, bënë të ditur Kalisi.

Gjatë asaj kohe, nëpër disa portale, shpesh mund ta lexoje lajmin se ishte gjetur njëri nga policët, ndërsa realisht kërkimet në terren nuk po jepnin asnjë rezultat. Ata që ishin në vendin e ngjarjes, në njërën anë, kishin mundësi ta shihnin të vërtetën ndërsa në anën tjetër t`i lexonin lajmet e rreme që shkruanin portalet. Në thelbin e këtyre lajmeve nuk mund ta gjeje as edhe një konfirmim të vetëm, pasi i tërë informacioni bazohej në kinse burimet e medies dhe në titull, dhe pas pak minutash kuptohej se ishte lajm i rremë.

Pse biem pre e lajmeve të rreme dhe si duhet zgjidhur ky problem?

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Lindita Tahiri thotë se dukuria e lajmeve të rreme, është e lidhur ngushtë me mënyrën se si marrësi e pranon mesazhin.

“Fake news” lidhet me vetëdijesimin se si u qasemi mesazheve të cilat i marrim nga mediet si dhe nevoja për ta zhvilluar mendimin kritik ndaj përmbajtjeve mediatike. “Fake news” parandalohet me zhvillimin e të argumentuarit logjik, kreativitetit dhe mendimit kritik, në mënyrë që individët të jenë të informuar drejt dhe të mund të marrin pjesë si qytetarë të përgjegjshëm në zhvillimin e shoqërisë demokratike”, thotë profesoresha Tahiri.

Sipas saj, pikëpamja e medies është një faktor që nuk duhet të neglizhohet kur flitet për këto lloj lajmesh.

“Individët duhet ta dinë se të gjitha mediet janë të konstruktuara dhe përmbajnë vlera dhe pikëpamje të caktuara. Njerëzit duhet t’i shfrytëzojnë aftësitë, bindjet dhe përvojat e veta për t’i konstruktuar kuptimet e veta nga mesazhet mediatike; mediat dhe mesazhet mediatike mund të ndikojnë në besimin, pikëpamjet, vlerat, sjelljet dhe në proceset demokratike”, është shprehur Tahiri.

Sipas sociologut Besim Gollopeni, edukimi i ulët i masës, është faktori kryesor që u mundëson lajmeve të rreme, të kenë një ndikim kaq të madh.

“Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë në përgjithësi dhe i internetit në veçanti, i ka mundësuar shoqërisë qasje permanente në plasim dhe marrje të informacioneve në drejtime shumëdimensionale, duke bërë që këto informacione, në disa raste, të jenë të pa filtruara profesionalisht apo “fake news”. Natyrisht, lajmet e rreme kanë ndikimin shumëdimensional tek masa e gjerë e shoqërisë, në momente dhe vende të caktuara. Më së shumti, viktimë e lajmeve të rreme bien qytetarët e painformuar, kryesisht me shkallë të ulët të edukimit, me mungesë stabiliteti social, psikologjik dhe ekonomik”, vlerëson Gollopeni.

Ai thotë se duhet të ketë kontroll më të madh sidomos të portaleve sepse në shumicën e rasteve, nuk dihet kush qëndron prapa shkrimit apo kush e udhëheq një medie online të caktuar.

“Lajmet e rreme nga kushdo dhe prej ngado që vijnë ato, kanë për qëllim bindjen e qytetarit dhe përfitimin material nga qytetarët. Ndër veprimet konkrete që duhet ndërmarrë në parandalimin e lajmeve të rreme janë: regjistrimi i medieve të shkruara dhe online nga institucionet përkatëse, identifikimi dhe regjistrimi i administratorëve të faqeve informuese të ndryshme dhe vendosja e masave ndëshkuese ligjore”, shtoi ndër të tjera Gallopeni.

Në anën tjetër, profesori i gazetarisë Faton Ismajli, zgjidhjen e problemit me lajmet e rrejshme, e sheh përmes edukimit medial.

“Suzanne Nossel, aktiviste e të drejtave të njeriut, e përkufizon më së miri recetën për t’u mbrojtur kundër epidemisë së lajmeve të rreme. Ajo thotë se ne duhet t’i edukojmë konsumatorët që ata të ndërtojnë aftësitë e tyre për ta mbrojtur veten. Pra, edukimi medial qoftë formal (institucionet arsimore), qoftë përmes edukimit informal, përmes organizimit të tryezave e trajnimeve për grupe shoqërore, duke filluar prej mësuesve, profesorëve për të vazhduar me edukimin e prindërve, nxënësve e kategorive tjera shoqërore”, u shpreh Ismajli.

Sipas Ismajlit, edukimi i të gjitha kategorive është i nevojshëm, pasi jo vetëm qytetarët bien pre e lajmeve të rreme por edhe vetë mediat.

“Po të shikohen komentet nëpër rrjete sociale, te portalet satirike, shihet qartë se një pjesë e madhe e lexuesve s’kanë asnjë ide se ka gazetari që bëhet për të bërë hajgare. Një portal satirik kishte shkruar se një publicist “kishte kërkuar heqjen e Skenderbeut nga Prishtina meqë nuk është kosovar.”, ishte bërë informacion i “besueshëm” për mijëra komentues në Facebook madje edhe disa media, që ta publikojnë si lajm të vërtetë. Pra, edukimi i grupeve shoqërore për mënyrën e përdorimit të mediave, për verifikimin e informacioneve do të ishte jetike për ta shmangur këtë ndikim. Sikurse secila punë që nis me një veprim, një rrugë me një hap, edhe edukimi mbi mediat për lajmet e rrejshme duhet të nis me një hap për të vazhduar me plot hapa tjerë, për të luftuar për çdo ditë lajmet e rrejshme”, theksoi Ismajli.

Sa i përket aspektit ligjor, në Republikën e Kosovës ekziston ligji civil kundër shpifjes dhe fyerjes, i cili në nenin 4 paragrafi 1, bënë të ditur se çdo person mund ta ndal shpifjen përmes procesit gjyqësor dhe të kërkojë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.

4.1. Një person ka të drejtë të kërkojë përmes procedurës gjyqësore të ndalë shpifjen dhe fyerjen dhe premtimin se shpifja apo fyerja nuk do të përsëritet në të ardhmen, tërheqjen e informacionit shpifës apo fyes ndaj personalitetit të tij/saj dhe kompensimin për dëmin moral dhe material të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja. (Ligji civil kundër shpifjes dhe fyerjes)

Por, shumë here, gjatë viteve të fundit, është shtruar nevoja që të ketë një rregullim më të madh në skenën mediale të Kosovës dhe kontroll më të madh për pronaret e medieve, mënyrën se si dhe nga kush financohen si dhe kush qëndron prapa tyre. Shumë medie krijohen për afate të caktuara kohore duke prodhuar shpesh “Fake News” për interesa të caktuara të dikujt, pa dhënë përgjegjësi në radhë të parë para audiencës dhe më pas edhe para ligjit.

Gazetar: Valmir Gallopeni

Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të Platformës rajonale për avokimin e lirisë së medias dhe sigurisë e gazetarëve – SEWP (System of Early Warning and Prevention), e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian.

koha.net

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)