Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takimin lamtumirës komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneral majorin Giovanni Fungo.
Berisha me këtë rast e ka falënderuar komandantin e KFOR-it, gjeneralin Fungo, për angazhimin, bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme profesionale që KFOR-i ka dhënë dhe po jep për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Ju po largoheni si një mik i mirë i shqiptarëve dhe Kosovës, me falënderimin e madh për aktivitetin dhe kontributin tuaj personal dhe për gjithë atë që keni bërë për ne”, ka thënë Berisha.
Në takimin e ministrit Berisha dhe gjeneralit Fungo u bisedua për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen si dhe për avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-i.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali Fungo, falënderoi ministrin Berisha për pritjen si dhe për bashkëpunimin e deritashëm. Ai u shpreh se në mandatin e tij kishte për objektiv që të thellonte bashkëpunimin mes KFOR-it dhe FSK-së me kapacitetin aktual, dhe se është i kënaqur që ia ka arrite këtij qëllimi. “Këtë e dëshmojnë më së miri ushtrimet fushore të përbashkëta si ‘Shpata e argjendtë’, të realizuara me shumë sukses”, ka thënë Fungo./KosovaPress/
Me këtë rast gjenerali Fungo vlerësoi lart profesionalizimin dhe angazhimin e FSK-së, duke theksuar se shumë njësi janë të bashkëveprueshme me njësitë e KFOR-it.
COMMENTS