GAP: “Kosova e Re” do të rëndojë ekonomitë familjare, bizneset dhe do të ndikojë negativisht në Buxhet

GAP: “Kosova e Re” do të rëndojë ekonomitë familjare, bizneset dhe do të ndikojë negativisht në Buxhet

Gentian Emini mbrojtësi perfekt i Ulpianës

Instituti GAP ka mbajtur një konferencë për media ku është prezantuar një pjesë e analizës me titull “Ndikimi i TC ‘Kosova e Re’ në tarifat e energjisë elektrike”.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, theksoi se propozimi fillestar për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’ u paraqit në vitin 2005, ku me Strategjinë e Energjisë (2005-2015), Qeveria e Kosovës planifikoi ndërtimin e një termocentrali me kapacitet 2,100 MW dhe një kosto prej 3.5 miliardë euro.

Me ndryshimet në qeverisje në fund të 2008, sipas Demit, projekti për termocentralin e ri u ndryshua, si për nga emërtimi, i cili filloi të quhej “Kosova e Re”, ashtu edhe për nga kapaciteti energjetik.

“Fillimisht u propozua që termocentrali i ri të ketë kapacitet prej 1000 MW, për t’u ndryshuar më vonë në 600 MW. Në mars 2012 Qeveria e Kosovës dërgoi tek katër kompanitë e parakualifikuara thirrjen finale për ofertim. Nga katër kompanitë e parakualifikuara, më 23 nëntor 2015 u shpall ofertuesi i vetëm – Contour Global. Përkundër asaj se thirrja për ofertim ishte dërguar duke u bazuar në Ligjin për prokurimin publik, i cili parasheh si të suksesshëm një proces tenderues me së paku dy oferta, Qeveria nuk e anuloi procesin përkundër marrjes së vetëm një oferte. Fillimisht Qeveria u arsyetua se procesi është shpallur dhe menaxhuar duke u bazuar në rregullat e Bankës Botërore, më vonë ky arsyetim u ndryshua duke thënë se është projekt i partneritetit publiko-privat. Duke filluar nga 2018, do të filloj faza e prokurimit për zgjedhjen e ndërtuesit të termocentralit “Kosova e Re”, për tu finalizuar gjatë 2019 pjesa financiare dhe data e transferit të lokacionit. Më 2019 do të filloj edhe ndërtimi i termocentralit, i cili do të përfundohet dhe filloj prodhimin në vitin 2023”, ka thënë Demi.

Ai gjithashtu theksoi se ndërtimi i ‘Kosovës së Re’ është projekt i cili ka ndikim të gjithanshëm në ekonomi, buxhetin e shtetit, shëndet, ambient, zhvendosje të popullsisë, borxhin publik e ndikime tjera.

Por në këtë raport të shkurtër, Instituti GAP ka analizuar vetëm ndikimin në tarifa të energjisë që do të ketë ndërtimi i termocentralit të ri sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, theksoi se për të paraqitur ndikimin e kostos së termocentralit “Kosova e Re” në çmimet e energjisë elektrike me shumicë si dhe tarifat e konsumatorëve fundorë, kjo analizë merr për bazë të dhënat e publikuara në Kontratë, si dhe të dhënat e tregut të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZrrE).

“Pasi që raporti financiar i kontratës ende nuk është finalizuar, kalkulimi i saktë i çmimit të energjisë elektrike me hyrjen në operim të TC ‘Kosova e Re’ është i vështirë. Megjithatë, marrë parasysh disa parametra të ofruara në kontratë, ndryshimet e mundshme në raportin financiar nuk do të kenë ndikim të madh në çmimin e energjisë elektrike”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, me ndërtimin e TC “Kosova e Re” çmimi i cili paguhet nga konsumatorët fundorë do të pasojë një ngitje kumulative prej 44 për qind në krahasim me çmimin aktual. Ndërsa çmimi mesatar me shumicë do të rritet në rreth 61.4€/MWh apo rreth 86% rritje kumulative në krahasim me çmimin aktual.

“Modeli i paraqitjes së rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për vitet 2018 – 2026 është tejet konservativ ngase nuk merr për bazë investimet tjera që do të bëhen në tregun e energjisë, siç janë dekomisionimi i TC Kosova A, investimet në TC Kosova B prej afër 300 milionë eurove dhe investimeve tjera në mihje të cilat detyrimisht do të reflektohen në tarifa. Prandaj, uljet eventuale të çmimit të synuar prej 80€\MWh nuk do të rezultojnë në tarifa më të ulëta sesa ato që janë paraqitur në këtë analizë”, deklaroi analisti Hyseni.

Sipas tij, nga grupet më të rrezikuara nga rritja e çmimit të energjisë janë familjet të cilat jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Sipas raportit të vitit 2015 mbi varfërinë në konsum në Kosovë, janë 50,000 familje të cilat nuk marrin ndonjë ndihmë shtetërore. Nëse bazohemi në të dhënat e prezantuara nga ZRrE rreth shumës së faturuar nga KEDS për amvisëritë, çmimin mesatar aktual të energjisë elektrike dhe numrin e konsumatorëve aktivë, del se fatura mujore e energjisë së këtyre qytetarëve do të jetë mbi 18% (40 Euro) e të ardhurave mujore të tërë familjes. Nga investitorët e mëdhenj të huaj në Kosovë, njëherësh konsumatorë industrialë, Ferronikeli dhe Sharrcemi, varen në masë të madhe në përdorimin e energjisë elektrike. Konkretisht, ato konsumojnë së bashku mbi 12% të energjisë së prodhuar në vend dhe furnizohen direkt nga rrjeti i transmisionit. Çmimi me të cilin janë furnizuar këto dy ndërmarrje ndër vite nuk ka kaluar vlerën prej 50 Euro për MWh, vlerë kjo me e ulët se ajo për shitjen e energjisë elektrike me pakicë tek konsumatorët dhe bizneset e vogla. Ndërsa, në rast të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, vetëm ngarkesa për kapacitete, 60 Euro për MWh, do të jetë më e lartë se tërë çmimi i furnizimit te Sharrcemit dhe Ferronikelit aktualisht. Në këto kushte, thuajse do të jetë i pamundur vazhdimi i operimit të dy konsumatorëve industrialë, Ferronikelit dhe Sharrcem. Në përgjithësi, bazuar në të gjeturat e Institutit GAP, termocentrali i ri do të rëndojë tej mase buxhetin e ekonomive familjare, do të rris koston operative të bizneseve, si dhe do të ketë ndikim negativ në buxhetin e Kosovës”, është shprehur Hyseni.

Në fund Demi theksoi se duke marr parasysh se Kuvendi i Kosovës ka ftuar interpelancë për kontratën e “Kosovës së Re”, seancë e caktuar të mbahet më 16 prill 2018, një ndër rekomandimet që duhet të dal nga kjo seancë është që t’i kërkohet ZRrE-së një raport zyrtar për impaktin e “Kosovës së Re” në tarifat e energjisë.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)