Ramush Haradinaj arriti sot 100 ditshin si kryeministër i Kosovës, lidhur me këtë ngjarje ai së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mbajtën një konferencë për media. Aty u diskutua edhe për numrin e madh të zëvendësministrave, shkruan Insajderi.
Haradinaj tha se dy zëvendësministra kanë dhënë dorëheqjen nga ky post. Por që deklarimet e ish-zëvendësministrit dhe të Qeverisë janë të kundërta me ato që sot i tha Haradinaj.
Haradinaj duke buzëqeshur tha se “kanë dhënë dorëheqje Muharremi dhe një tjetër”.
“Zëvendësministra i kom pas nja 68 nja dy kanë dhanë dorëheqje, Muharremi edhe një tjetër te shohim tash sa po mbesin”, ka deklaruar Haradinaj duke buzëqeshur teksa po largohej nga konferenca.
Por një version krejt tjetër e kishte dhënë Fatir Berzati, ish-zëvendësministër. Ai thoshte se u shkarkua nga kryetari i tij i partisë, Adem Hodza dhe Lista Serbe për shkak se tha Republika e Kosovës.
“Incidenti i parë ka qenë më 13 tetor në mbledhjen e qeverisë dhe atë ditë unë kam lexuar në gjuhën shqipe disa herë Republika e Kosovës; ka dalë në media, në Interaktiv Opps. Deputeti [Adem Hodza v.j] kur e ka parë më ka thënë: ‘shiko se çka ke bë, e ke lexuar Republika e Kosovës në zë. Ti duhesh ose vetëm Kosova ose Kosova Metohija. Ti nuk ki nevojë me thanë Republika’. Prej asaj dite kanë nisur kërcënimet, çdo ditë më shumë e më shumë”, kishte rrëfyer Berzati për Insajderin muaj më parë.
Por për të njëjtin rast, Avni Arifi këshilltari i kryeministrit kishte dhënë një tjetër version nga ai i Berzatit para një muajve dhe nga i Haradinajt dhënë sot.
Ai kishte thënë se Berzati ishte emëruar zëvendësministër me kërkesën e Listës Serbe dhe me kërkesën e saj është larguar nga ky post.
“Fillimisht Lista Serbe e ka propozuar për zëvendësministër dhe më pastaj për shkaqe që nuk dihen ka kërkuar prapë Lista Serbe që ta zëvendësoi atë dhe ta emëroi dikë tjetër. Ai vazhdon të thotë disa ide se jo për shkak që se e ka lexuar Republika e Kosovës, apo diçka tjetër por ato janë ide të tij sepse kjo ka ndodhur për shkak të keqkuptimeve të tij me partinë”, kishte deklaruar Arifi për Insajderin.
Një zv.ministër i shkarkuar dhe dy rrëfime krejtësisht të kundërta për shkarkimin e tij
Sot anëtari i AAK-së Muharrem Nitaj ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit.
“I kam paraqitur Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zv/Ministrit të Arsimit dhe e kam falëndëruar për besimin dhe bashkëpunimin e deritashëm. Sot kam bërë regjistrimin për deputet të Kuvendit të Kosovës, me çka kam marrë përsipër përfaqësimin në Kuvend të mijëra votuesve të mi! Edhe një herë faleminderit për besimin e dhënë!”, ka njoftuar Nitaj./Insajderi
COMMENTS