Një mur i madh prej betoni e ndanë Sanjën nga shtëpia e fqinjit të ri. Në mes të fshatit të banuar me serbë, në vendin më të lartë në Çagllavicë ka ndërtuar shtëpinë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Pa shumë zhurmë e pa e deklaruar ndonjëherë, Thaçi, sipas burimeve të Gazetës Fjala, po bëhet gati që për pak ditë të hyjë në shtëpi të re.
Gjatë gjithë verës aty është punuar pa ndërprerë, ndërsa i pari i vendit me raste i ka “inspektuar” punimet.
“E kam parë disa herë sivjet Thaçin, ka ardhur ta vizitoi objektin derisa ndërtohej”, tregon fqinja e Presidentit.
Të gjithë banorët, përreth godinës së veçuar në këtë zonë të Çagllavicës, thuajse janë serbë.
Por, atyre nuk u pengon fqinji i ri, për të cilin nuk tregojnë se kanë shumë simpati.
“Neve nuk na pengon kushdo çoftë. Nuk kemi problem me askënd”, thotë Sanja derisa kalon përgjatë murit të gjatë drejtë shkollës, e cila është ngjitur me shtëpinë e re të Thaçit.
Fqinji i parë shqiptarë, një rrugë më tej, është vëllai i Presidentit, Afrimi. Ai duket të ketë qenë i pari nga familja Thaçi që ka vënë themel në këtë zonë.
Gazeta Fjala ka biseduar me banorët përreth, të cilët e kanë konfirmuar se vëllezërit Thaçi tani po bëhen bashkë në Çagllavicë.
Presidenti, pati nisur ta ndërtoi në vitin 2008 një shtëpi të ngjashme pak kilometra më larg në lagjen “Veternik” të Prishtinës, pas largimit nga shtëpia e tij në lagjen “Arbëria”, pas incidentit me Fazli Sejdiun, tashmë i akuzuar për tentativë vrasje.
Ndërtimin e kësaj shtëpie prej 700 metra katrorësh, Thaçi ka arritur ta fusë vetëm nën kulm pasi e shiti para se të futej në të.
Ish-sekretari i Aleancës Kosova e Re dhe pronari i kompanisë “Siguria”, Rrahim Pacolli ka blerë shtëpinë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për 360 mijë euro.
Kurse, presidenti I Kosovës tash e disa vite jeton me qira në shtëpinë e njërit prej drejtorëve dhe aksionerëve kryesorë të kompanisë IPKO, Bujar Musa, në zonën e njohur si “Bregu i diellit” në Prishtinë.
COMMENTS