Në Kretë të Greqisë është gjetur sot trupi i pajetë i një burri 61-vjeç, i cili ishte zhdukur javë më parë.
“Trupi i tij është gjetur në bregun e një lumi”, kanë njoftuar ekipet e zjarrfikësve, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq ishulli Kreta që konsiderohet si një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë, ditëve të fundit është goditur nga moti i ligë, ku si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut rrugët, ndërtesat e infrastruktura rrugore janë shkatërruar.
E një urë mbi 110 vite e vjetër në lumin Keritis është shembur, kurse banorët përreth kësaj zone janë evakuuar për shkaqe sigurie.
Zyrtarët e ministrisë së Infrastrukturës dhe ekspertë të shumtë kanë vizituar me helikopterë ishullin e Kretës, me qëllim që të vlerësojnë dëmet e shkaktuara.
Guvernatori rajonal Stavros Arnautakis, ka deklaruar së dëmet materiale mund të kapin shumën e dhjetëra miliona euro.
“Shiu është duke rënë pa ndërprerë tash e gjashtë ditë… sasia e madhe e ujit ka bërë që rrugët të shndërrohen në lumenj”, ka deklaruar Nikos Lagudakis, zyrtar i ekipit të zjarrfikësve.
COMMENTS