Bibi Fatemah ulet në dyshemenë e ftohtë prej betoni dhe fillon thurjen e një qilimi tradicional afgan. Gjyshja 75-vjeçare është me shëndet të dobët dhe puna e saj është e vështirë, por ajo nuk ka tjetër rrugëdalje pasi është e vetmja që i sjellë të ardhura familjes 10-anëtarëshe.
“E përfundoj nga një qilim për çdo javë, më pas i shes në treg për 500 afganë (rreth 6 euro). Kjo është mënyra se si mbijetojmë çdo ditë”, thotë Fatemah përderisa vazhdon thurjen e fijeve. Familja e saj është njëra nga mijëra familjet afgane që po përballen me varfërinë e skajshme, e cila është thelluar nga lufta e gjatë dhe e përgjakshme mes qeverisë dhe talibanëve.
Para disa muajve, ajo ishte detyruar të zhvendoset nga fshati i saj në rajonin e Pashtunit për shkak të dhunës dhe mungesës së sigurisë. Kjo krahinë e skajshme në kufi me Turkmenistanin ka qenë për një kohë të gjatë fushëbetejë e luftimeve të ashpra mes forcave qeveritare dhe militantëve talibanë.
Fatemah u vendos bashkë me familjen e saj në Maymana, ku e kanë marrë me qira një hapësirë të papërfunduar me dysheme të pluhurosur. “Këtu nuk ka punë për burra”, thotë ajo. Me të ardhurat që siguron nga shitja e qilimave ushqen dy vajza dhe shtatë nipër e mbesa.
Shumica e burrave paguajnë trafikues për të shkuar në Iran me shpresën se do të gjejnë punë. Vlerësohet se rreth 2 milionë afganë jetojnë të paregjistruar në Iran dhe punojnë punë të vështira. Sidoqoftë, Irani tashmë është goditur nga kriza ekonomike dhe rreth 800 mijë afganë janë detyruar të kthehen në atdhe gjatë vitit të kaluar për shkak të mungesës së punës, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
COMMENTS