Lëvizja e “jelekëverdhëve” hyri në javën e saj të 13 të aksionit, ku protestuesit mbushën sërish rrugët e Parisit.
Ata marshuan para Harkut të Triumfit, monumenti në hyrje të Shamps Elizesë e më pas vijuan përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, ku policia përdori gazin lotsjellës pasi protestuesit vandalizuan muret përreth ndërtesës.

E në mesin e gazit lotsjellës dhe goditjeve me shkopinj gome, një protestues raportohet të ketë humbur dorën në rrethana të tmerrshme.
Shkaku i lëndimit nuk është konfirmuar ende, por dëshmitarët thonë se ai kishte kapur një granatë gazi lotsjellës që i shpërtheu në dorë.
Policia tha se personi i lënduar po trajtohet në spital.

Protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron si edhe lejimin e referendumeve qytetare.

Lëvizja e “jelekëverdhëve” nisi në nëntor duke patur në thelb rritjen e taksës mbi karburantet dhe shumë shpejt u shndërrua në një revoltë të gjerë që mobilizoi dhjetëra e mijëra demonstrues kundër qeverisë.
COMMENTS