Ka një javë që është dhënë alarmi se interneti në Kosovë nuk është i sigurt. Por, duket se pak kush e ka marrë seriozisht se kredit kartelat, fjalëkalimet e mesazhet mund të bien në dorë të hakerëve.
Përveç njohësve të kësaj fushe, që tregojnë se të gjitha shërbimet online janë të rrezikuara, institucionet bankare ku qarkullohen miliona euro të qytetarëve përmes pagesave online sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Njëjtë sillen edhe institucionet e tjera që procedojnë të dhëna që kanë të bëjnë me privatësinë heshtin.
Kështu kosovarët, si përdoruesit më të mëdhenj të internetit në Evropë, rrezikohen seriozisht të humbin para dhe të dhëna personale në botën virtuale, shkruan Gazeta Fjala.
Ditëve të fundit nëpër shtete të ndryshme të botës është paraqitur një sulm i rëndë kibernetik, që ka të bëjë me përvetësimin e të dhënave personale përmes komunikimit në rrjetat kompjuterike pa tela (WiFi).
Operatori IPKO përmes në njoftimi në faqen e tij në facebook ka alarmuar për rrezikun edhe në Kosovë, por nuk ka përmendur të kenë ndodhur raste konkrete.
Sipas Blerim Rexhës, udhëheqës i departamentit të inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ky sulm tani i njohur me emrin “KRACK” (Key Reinstallation Attacks) shfrytëzon dobësinë (të metën) e implementimit standard të protokollit të sigurisë WPA2 (Wi-Fi Protected Access).
Në shpjegimin teknik, ky protokoll, WPA2, i standardizuar edhe sipas IEEE 802.11i standardit, ka për detyrë të mbroj komunikimin në rrjetat kompjuterike pa tela (WiFi), dhe sot e gjejmë tek te gjitha pajisjet kompjuterike (routera, pajisje mobile dhe PC).
Rexha bën të ditur se për shkak të këtij sulmi të gjitha shërbimet online janë të rrezikuara nga shkelja e privatësisë “dhe veçmas ato ku shfrytëzuesi duhet të jap shënime private si: numri i kredit kartelës, fjalëkalimi (password), mesazhet e ndryshme te dërguara përmes aplikacioneve (emailat, chatet, etj.)”
“Ndaj këtij sulmi, shërbimet online, edhe ne Kosovë, mbesin të (pa)sigurta ashtu siç kanë qenë edhe më herët. Përditësimi (update) i pajisjeve me protokoll të përmirësuar, ndoshta një ËPA3, është mbrojtja më e mirë, e deri atëherë duhet ti shmangemi rrjetës WiFi”, thotë Rexha.
Sipas tij, tani ka rrezik që edhe të dhënat e e-banking apo aplikacionet e tjera financiare të bien në dorë të “hakerëve”.
“Po, rreziku tani është më i lart që të dhënat financiare të keqpërdoren, por duhet të kihet parasysh që sulmuesi dhe viktima duhet të jenë në rrjetin e njëjtë!”, shpjegon ai.
Ndërkaq, krejt çfarë mund të bëjnë qytetarët për tu mbrojtur duket se mbetet shmangja e këtyre shërbimeve dhe kujdesi në përdorimin e tyre.
Autoritetet e Kosovës, tani më ka njoftuar qytetarët e Kosovës për këtë sulm dhe pasojat e tij, ndërsa në mungesë të mekanizmave nuk mund të ndërmarrin asgjë për tu ofruar siguri qytetarëve.
Në ARKEP janë të njoftuar me këtë rast dhe brenda kompetencave i kanë marr masat e nevojshme.
“Ne kemi sensibilizuar opinionin që është brenda mundësive tona dhe do të ndjekim zhvillimet që priten lidhur me këtë në nivel global”, ka thënë Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit në ARKEP.
Sipas tij, ende nuk është paraqitur ndonjë rast në Kosovë.
Ndërkaq, në Bankën Qendrore të Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje nëse tashmë është paraqitur ndonjë rast që lidhet me sulm të mundshëm kibernetik në llogaritë e qytetarëve. /Gazeta Fjala/
COMMENTS