Sot ka filluar të zbatohet faza e dytë e lehtësimit të masave për rikthim në normalitet pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
Në këtë fazë është përfshirë edhe hapja e kafeterive dhe e restoranteve në formën “Merre me vete”.
Pas dy muaj mbyllje të plotë, sot nisi punën edhe restorant “Marigona-J” në Lipjan.
Rikthimit në punë i’u gëzuan punëtorët e këtij biznesi.
Beqë Haliti, i cili është i punësuar në këtë restorant, thotë se mezi ka pritur që të rinisë punën.
“Për fat të mirë nga sot veç filluam pas dy muajve. Ta them të drejtën u gëzuam shumë pasi ne kemi nevojë me punu, por edhe klientët na kanë thirrë vazhdimisht, por falë Zotit po duket se jemi në fund të pandemisë dhe do t’i përmbahemi çdo rekomandimi deri në hapjen totale që do të bëhet”, tha Haliti, transmeton Ulpianapress.
Sa i përket shërbimit “Merre me Vete”, Haliti thotë se do të jetë sfidues, por edhe një eksperiencë e re.
Për t’iu përmbajtur rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në hyrje të restorantit janë vendosur dezinfektues për klientët. Përveç kësaj, Haliti tha se ambientet e restorantit po dezinfektohen pas çdo hyrje dhe dalje të klientëve.
“Jemi pajisur me dezinfektues, kemi dezinfektues për tavolina dhe karrige dhe dezinfektues që është adekuat për duar, kemi maskat, dorëzat, por kujdesi më i shtuar është në kuzhinë, edhe pse gjithmonë ka qenë kujdesi në kuzhinë”, përfundoi Haliti. /Ulpianapress
COMMENTS