Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin edhe kongresmeni amerikan Eliot Engel, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, Zyrtari Kryesor Operues i MCC ( Sfidat e Mijëvjeçarit), Jonathan Nash, si dhe personalitete tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend.
Haradinaj këtë moment e ka cilësuar si kapitull të ri të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Amerikës, njofton Klan Kosova.
“Ishte kongresisti Engel që para më shumë se 30 vjetësh, i bindur nga burrat e ndershëm shqiptar, si z.Harry Bajraktari, miku ynë, dhe shumë shqiptaro-amerikan të tjerë nisën betejën në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
“Kongresisti Engel dhe miqtë tjerë në Kongres, në Senat, në Qeverinë Amerikane, kanë dhënë kontributin kryesor që ne fituam lirinë dhe pavarësinë dhe sot po japin një kontribut të madh edhe në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik”.
“Mua para 15 vjetëve, më kanë thënë miqtë amerikanë që të fokusohem në Fondin e Korporatës së Mijëvjeçarit, por ne atëherë as nuk kishim shtet, as nuk i plotësonim kushtet. Kaluan disa vite, e dini që disa prej atyre viteve nuk kam qenë në Kosovë, andaj gëzohem sot shumë kur shoh që këshilla e miqve amerikanë dhe puna e madhe është finalizuar dhe ne tani kemi Agjencionin Amerikan duke vepruar në Kosovë nëpërmjet Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës”.
I pari i ekzekutivit ka thënë ndër të tjera se lansimi i Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë nuk është vetëm festë.
“Nuk jemi këtu vetëm të festojmë, por jemi këtu të fillojmë punën. Kjo marrëveshje sjellë sot 49 milionë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për sektorin e energjisë, por edhe për sektorin e drejtësisë”.
“Unë kam udhëzuar ministritë përkatëse, agjencionet dhe institucionet tjera, të bashkëpunojmë plotësisht në implementimin e kësaj marrëveshje. Mendoj se tri gjëra janë të rëndësishme sot, derisa po zhvillohet kjo konferencë; E para është se ky është një grant, një donacion i pakthyeshëm nga populli amerikan”.
“Nuk është borxh apo kredi, por një ndihmë konkrete në projekte konkrete. Kjo ndihmë ka qenë e kushtëzuar në disa kushte, ne tani i kemi plotësuar ato kushte dhe po punojmë t’i marrim rezultatet e mira të punës sonë, t’i komunikojmë ato me publikun dhe me donatorët dhe synojmë rezultate edhe më të mira; E dyta është se fushat që do të financohen nga ky grant janë fusha që i kemi përzgjedhur vetë; E treta është se ne nuk do të ndalemi derisa të sjellim edhe investime tjera”.
Ai ka thënë poashtu se me qeverisje të mirë dhe me luftimin e korrupsionit, Kosova mund të përfitojë edhe shumë të tjera, më të mëdha.
“Nëse mbajmë mirë rezultatet e qeverisjes, e që me rëndësi në luftën kundër korrupsionit, nëse përforcojmë sundimin e ligjit, unë kam marrë siguri se Kosova mund të marrë edhe shumëfishin e kësaj shume, shumë shpejtë. Fati jonë është në duart tona dhe zhvillimi ynë ekonomik varet nga puna jonë”.
“Unë do të punoj shumë që zhvillimet pozitive të ndodhin, por edhe të raportohen dhe që në këtë punë të kemi një trekëndësh të mirë të bashkëpunimit mes Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat”.
COMMENTS