HARROHET REFORMA ZGJEDHORE

HARROHET REFORMA ZGJEDHORE

Papa thirrje Trump’it që të mos e njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit

Në Kosovë ende mungon një reformë zgjedhore edhe pse një e tillë është tentuar që të bëhet. Presidenti Hashim Thaçi gjatë vitit 2016 pati nisur takimet me partitë politike për reformën zgjedhore, por kjo nismë e tij mbeti pezull.

Si rezultat i mungesës së reformës zgjedhore janë krijuar kushte më të favorshme që parregullsitë të ndodhin dhe shkelësit e ligjit mos të marrin dënimin e merituar. Kështu është shprehur për Indeksonline, drejtori ekzekutiv i “Demokracia Plus”, Valmir Ismaili.

Ai tha se reforma e zgjedhore është e domosdoshme për të shmangur një numër të madh problemesh me të cilat jemi ballafaquar në zgjedhjet e kaluara. Si disa nga problemet kyçe ai ka përmendur si mos pastrimi i listave të votueseve, votimi nga jashtë, mos menaxhimi i duhur i procesit zgjedhor e deri te certifikimi i rezultateve zgjedhore.

“Reforma zgjedhore është e domosdoshme për të shmangur një numër problemesh me të cilat jemi ballafaquar në zgjedhjet e kaluara, por edhe për të avancuar tutje sistemin zgjedhor. Problemet e vazhdueshme me listën e votuesve, votimi nga jashtë, menaxhimi i procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, procesin pas zgjedhjeve, e deri të certifikimi i rezultateve zgjedhore do të përmirësoheshin nëse Kosova do të bënte një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Në aspektin politik, reforma zgjedhore do të duhej të adresonte edhe çështjet e zonave zgjedhore, zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, raundit të dytë të zgjedhjeve në nivel lokal”, është shprehur Ismaili.

Ky i fundit nuk la pa përmendur edhe nismën e Presidentit Thaçi të cilën e konsideroi një “aventurë” të tij për të shtuar kompetencat e tij. “Nisma e Presidentit Thaçi nuk ka qenë serioze, për faktin që nuk kanë qenë të përfshirë të gjitha subjektet politike dhe akterët tjerë në të. Ajo ka qenë një prej aventurave të shumta të tij që primar ka pasur interesin e tij personal e jo atë të publikut në përgjithësi. Me këtë reformë zgjedhore, Presidenti Thaçi ka dëshiruar që të shtojë edhe më shumë kompetencat e Presidentit dhe asgjë më shumë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Sipas Ismailit një proces i tillë do duhej të kryhej në një afat optimal kurse tash konsideron se është koha e duhur që të filloj ky proces.

“Procesi i reformës zgjedhor do të duhej të kryhej në një afat optimal. Tani është momenti i duhur që një proces i tillë të filloj dhe në të përfshihen të gjithë akterët e interesuar. Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Pas reformës zgjedhore duhet t’i lihet kohë e mjaftueshme KQZ dhe PZAP që të nxjerrin akte sekondare, si dhe OJQ-të dhe partitë politike që të edukojnë dhe informojnë votuesit për ndryshimet që do të ndodhin”, tha Ismaili.

Edhe Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,Valmir Elezi reformën zgjedhore e konsideron të domosdoshme, ku thekson se përmes saj mund të adresohen problemet me të cilat përballet KQZ-ja. “Sigurisht se reforma zgjedhore është e nevojshme pasi përmes saj do të mund të bëheshin ndryshime që do të reflektonin në përmirësimin e mëtejmë të procesit zgjedhor. Përmes reformës zgjedhore do të mund të adresoheshin një sërë çështjesh me të cilat është përballur KQZ-ja dhe institucionet tjera”, është shprehur Elezi për Indeksonline.

Ai ka shtuar se për një reformë të tillë edhe KQZ si institucion është i gatshëm të jap kontributin e tij, nëse një gjë e tillë kërkohet. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion që merret me organizimin e zgjedhjeve, është i gatshëm për të dhënë kontributin për reformën zgjedhore kurdo që një gjë e tillë kërkohet”, ka përfunduar Elezi.

Ndryshe, edhe Misioni i Bashkimi Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve gjatë procesit zgjedhor të vitit 2017, pati dhënë një sërë rekomandimesh për reformën zgjedhore. Duke filluar me financimin, listat e votuesve, koha e transmetimit në media, votimi jashtë Kosovës e deri te ankesat dhe parashtesat.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)