Hashim Thaçi në mars të vitit 2014 kishte marrë vendim për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar në Prishtinë

Hashim Thaçi në mars të vitit 2014 kishte marrë vendim për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar në Prishtinë

Thaçi: Sikur mos të isha unë, sot as që do të bisedohej për Ushtrinë e Kosovës (Video)

Presidenti aktual i Kosovës, kur ishte Kryeministër, kishte marrë vendim që Stadiumi i Kombëtares të ndërtohet në Kryeqytet. Në mars të vitit 2014, Hashim Thaçi kishte urdhëruar Ministrinë e Sportit dhe atë të Financave të nisnin procedurat për ndërtimin e fushës më të rëndësishme sportive në Prishtinë.

Një debat i madh është zhvilluar ditëve të fundit në Kosovë, për vendin e ndërtimit të një Stadiumi Kombëtar, ku do t’i zhvillojë ndeshjet Kombëtarja e Kosovës në futboll.

Pasi për një kohë të gjatë ishte përmendur Prishtina si nikoqire e këtij stadiumi, habi – por edhe reagime – shkaktoi përmendja e Drenasit si vend për ndërtimin e objektit për futbollin kosovar.

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, që aktualisht qeveris vendin në bashkëpunim me mbi dhjetë parti të tjera, filluan të paralajmërojnë stadiumin e ri në Drenas – e jo në Prishtinë, siç ishte planifikuar fillimisht.

Deklaratat e kreut të Partisë, Kadri Veseli, e të zyrtarëve të tjerë, bënë që të shpërthejë një valë reagimesh, si në mesin e qytetarëve të thjeshtë, ashtu edhe në mesin e zyrtarëve partiakë e shtetërorë.

Të një mendjeje me PDK’në nuk doli as partnerja e saj më e madhe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga e cila vjen kryeministri aktual i vendit, Ramush Haradinaj.

Shefi i tij i kabinetit, Avni Arifi, e quante “rrenë të kulluar” ndërtimin e stadiumit në Drenas, duke këmbëngulur se ai do të ndërtohet siç është paraparë, në kryeqytetin e Kosovës.

Por, ditë më vonë Ministria e Sportit shoi të gjitha spekulimet për vendin e ndërtimit të stadiumit. Shefi i kësaj ministrie, Kujtim Gashi, bëri të ditur se ai do të ndërtohet në Drenas, përfundimisht.

Më konkretisht, nikoqire e stadiumit do të bëhet fshati Korroticë, dhe jo Bërnica e Poshtme e Prishtinës.

Gashi tregoi se ka kërkuar nga zyrtarët e Departamentit të Sportit që sa më shpejt të nisin punën për kompletimin e dokumentacionit, për të proceduar tutje rreth projektit në Drenas.

Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga PDK dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, s’e kishte nxjerrë asnjëherë një vendim për vendin se ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar.

Ish-kryeministri Isa Mustafa vetëm kishte autorizuar Ministrinë e Sportit për të caktuar Bërnicën si lokacion të mundshëm për ndërtimin e objektit sportiv. Por, asnjëherë një vendim të tillë nuk e kishte dërguar për miratim në Qeveri.

E për dallim prej Qeverisë Mustafa, një vendim konkret për Stadiumin Kombëtar e kishte marrë Qeveria Thaçi, në vitin 2014.

E udhëhequr nga Hashim Thaçi asokohe, Qeveria më 18 mars 2014 urdhëronte nisjen e procedurave “për përfshirjen në kornizën afatmesme të shpenzimeve të projektit për ndërtimin e një Stadiumi Kombëtar të ri dhe modern në pajtim me standardet ndërkombëtare i cili do të ndërtohet në Prishtinë me kapacitet nga njëzetepesë mijë deri në tridhjetë mijë ulëse”:

Vendimi i kryeministrit të atëhershëm, tani president i vendit, obligonte Ministrinë e Sportit dhe atë të Financave për fillimin e procedurave për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumit, dhe për zbatimin e këtij vendimi. /Express/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)