Hysaj flet para ndeshjes së rëndësishme me Turqinë

Hysaj flet para ndeshjes së rëndësishme me Turqinë

Ekpertët e futbollit europian zbarkuan në Lipjan, takohen me drejtuesit e KF Ulpianës (Foto)

Vështrim i kthjellët e fjalë të qarta. Elseid Hysaj është padyshim një ndër elementët thelbësorë të kombëtares dhe falë eksperiencës në nivelet më të larta flet si një lider edhe para kamerave. Fjalë për të kuptuar se sa e rëndësishme është miqësorja me Turqinë , një provë e fortë për Shqipërinë që i duhet të fitojë një notë në fushën e lojës mbi punën e bërë deri tani.

“ Besoj që do jetë një ndeshje e bukur, e dimë që do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, megjithatë kemi patur kohën e nevojshme për ta përgatitur në mënyrën më të mirë këtë sfidë. Gjatë kësaj periudhe ne futbollistët jemi njohur më mirë me njëri tjetrin por edhe me trajnerin. Do të jetë një ndeshje kontrolli, për të kuptuar se ku kemi arritur dhe në cfarë forme jemi. Turqia është një skuadër shumë e fortë ka lojtarë të nivelit të lartë që luajnë në klube shumë të mira. Ky do të jetë një test impenjativ për ne që do të bëjë të kuptojmë se cili është potenciali ynë i vërtetë. Nëse fitojmë do të merrnim shumë vetëbesim për të ardhmen”.

Eleminatoret e Botërorit tani janë lënë pas me një vend të tretë sipas Hysajt që vlen për tu vlerësuar, por gjithmonë me kujdesin e nevojshëm për të rikuperuar atë cka nuk ka shkuar, në funksion të së ardhmes.

“Ishim në një grup me Spanjën dhe Italinë dhe nuk duhet të anashkalojmë kurrë këtë fakt. Për ne elimintoret e Botërorit ishin shumë të vështira. Vendi i tretë ishte pozitiv për ne, megjithatë duhet të shohim se ku kemi gabuar, për të sistemuar ato gabime në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret e Europianit të ardhshëm”.

Ka gjak të ri në Kombëtare, dhe për të gjithë ata që pyesin se si mund të jenë pritur të mbërriturit e rinj Hysaj jep një panoramë të atmosferës në grupin kuqezi ku të gjithë konsiderohen të rëndësishëm pasi të gjithë luftojnë për një qëllim.

“Grupi është fantastik, edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur janë përshtatur menjëherë dhe mendoj që do të na japin një dorë për të arritur rezultate sa më pozitive”.

Të paevitueshme dhe pyetjet për Napolin, aty ku trajneri Sarri së fundmi e ka spostuar shkodranin në krahun e majtë për shkak të dëmtimit të Ghoulam, një pozicion jo i panjohur ky për Hysajn.

“ Në klubin tim kam luajtur si mbrojtës i majtë edhe përpara tre vitesh por të rikthehesh në atë rol pas një periudhe kaq të gjatë është pak e vështirë, megjithatë unë jam i gatshëm aty ku ma kërkon trajneri dhe ku ka nevojë skuadra.”

Te Napoli, për supersticion e kanë të ndaluar fjalën titull, por ecuria e shkëlqyer e skuadrës që kryeson kampionatin italian i bën të gjithë të ëndërrojnë, padyshim edhe Hysajn.

“Fitimi i kampionatit do të ishte diçka shumë e madhe për Napolin, pasi kemi 30 vjet që e presim këtë mundësi. Ky është sezoni i duhur për tia arritur qëllimit. Humbëm një futbollist të rëndësishëm si Ghoulam por kemi lojtarë të tjerë me peshë në skuadër dhe besoj që do tia dalim”.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)