Ibrahim Rugova – Ati themeltar i shtetit të Kosovës, thonë ish-bashkëpunëtorët

Ibrahim Rugova – Ati themeltar i shtetit të Kosovës, thonë ish-bashkëpunëtorët

Fati tragjik i biznesmenit shkodran, del në ballkon dhe bie nga 5 kate lartësi

Ibrahim Rugova dha frymën e fundit si sot 13 vjet më parë.

Kujtimi për të nga ish – bashkëpunëtorët është i gjithmonshëm.

Muhamet Hamiti, njëri prej njerëzve që i qëndroi ish-presidentit historik deri në momentin e fundit të jetës së tij e kujton mjaft mirë 21 janarin e vitit 2006.

Ai tregon që ishte i pari që dha lajmin për ndarjen e Rugovës nga jeta.

“E kujtoj me dhembje të madhe atë ditë. Pak para mesdite, ditë e shtunë, Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë. E kishte përballuar lëngatën, përballjen me kancerin, me dinjitet e kurajë të madhe deri në frymën e fundit gjatë vjeshtës e dimrit të vitit 2005/2006. Mua më ra hise të jepja kumtin e rëndë për vdekjen e tij”, ka thënë Hamiti për klankosova.tv.

“Gandi i Ballkanit”, “Themeltar i shtetit të Kosovës”, “Kolosi i brishtë i Kosovës”, janë disa prej frazave që janë përdorur me anë të të cilave portretizohet Rugova.

Por Hamiti i thotë ndryshe duke bërë krahasime me figura të mëdha botërore.

“Ati Themeltar i Shtetit e quaj unë Rugovën. Ai është diçka si Thomas Jefferson-i, George Washingtoni e ndonjë tjetër për SHBA-të, apo Kemal Ataturku për Turqinë, ta zëmë”.

“Rugova ka qenë njeri me profil krijuesi, shkrimtar, njeri i Renesancës, siç thuhet në kultura të tjera për dikë që ka dije të shumta, jo vetëm specialistike”.

“Mbi të gjitha, Ibrahim Rugova është themeluesi i shtetit të Kosovës, i asaj që mund të quhet tani, në retrospektivë, Republika e Parë e Kosovës, ajo e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, por edhe i kësaj që kemi tani. Rugova dhe shteti i Kosovës janë në raport simbiotik”.

Sipas Hamitit, Kosovës po i mungon një profil politikani sikur i Rugovës.

“Mungesa e Ibrahim Rugovës po ndihet më shumë tani që klasa politike post-Rugova, një pjesë e të cilës ka qenë aktive edhe në kohën e tij, nuk po i del zot Kosovës siç i dilte ai, me punë e dije, sidomos me dije e urti, por edhe besim në dhe përkushtim pothuaj religjioz ndaj kauzës së Kosovës së pavarur e demokratike. E bënte Rugova punën e një burrështetasi të madh edhe kur vendi ynë nuk ishte njohur formalisht si i tillë”.

“Kë ke burrështetas sot në Kosovë?”, pyet ai.

Hamiti thekson se Rugova në të gjallë ka qenë kundër ideve për prekje të kufijve shtetëror.

“LDK-ja kundërshton prekjen e kufijve, hapjen e çështjeve që janë zgjidhur me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës, prekjen e natyrës unitare të shtetit, por edhe hapjen e çështjeve të tjera të jetës së brendshme të vendit që i kërkon Serbia. Idetë e Serbisë e të Rusisë për ndarje të Kosovës janë të rrezikshme. Çfarëdo ideje a ndërhyrjeje që prek në identitetin e Kosovës e ka kundërshtuar gjithherë Rugova, madje në kohë shumë më të vështira se sot. Gabim e ka kushdo prej udhëheqësve shqiptarë që në emër të njohjes nga Serbia pranon të cenohet Kosova në rrafsh territorial apo administrativ, apo hap çështje që mund të çojnë në defunksionalizim të shtetit tonë. Serbia duhet ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, në kufijtë kushtetues të vendit tonë. Kosova ka bërë kompromiset e veta. Serbia duhet ta pranojë realitetin”.

Për të evituar lëshimet e mundshme, për Hamitin, udhërrëfyes duhet të jetë Rugova.

“Kosova e sotme, që po kalon një dimër të pakënaqësisë popullore e të mërzisë, mund të gjejë shpëtim nëse i kthehet trashëgimisë së Atit Themeltar të Shtetit. Kjo nuk bëhet duke u thirrur në emër të Ibrahim Rugovës, siç po bëjnë sharësit e tij të djeshëm, pushtetarët e sotëm e rrethi i tyre, por duke ndërtuar shtet e shoqëri me vlera demokratike. Për vlera demokratike Kosova është në tatëpjetë këto dhjetë vjet të ekzistencës së saj si Republikë e pavarur e sovrane. Kosova duhet të shpëtohet e të rimëkëmbet”.

Një tjetër bashkëpunëtor i Rugovës, që e pasoi edhe në postin e Presidentit të Shtetit edhe atë të kryetarit të partisë, Rugovën e ka quajtur sot themeltar të shtetit të Kosovës, paqedashës e paqësor.

“Ibrahim Rugova u identifikua me Kosovën, njësoj siç Kosova identifikohej, dhe identifikohet edhe sot me të”, ka thënë gjatë ditës Fatmir Sejdiu përmes një postimi në Facebook.

Sejdiu ka potencuar se Kosova e pavarur dhe demokratike është testament i Rugovës.

“Kurdo dhe kudo e përsëriste testamentin e tij politik e kombëtar “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”.Sot, në trembëdhjetë vjetorin e ikjes së Ibrahim Rugovës, duhet t’i thërrasim zërit të arsyes dhe përgjegjësisë individuale e kolektive në ruajtjen dhe fuqizimin e testamentit të tij”.

E për Skënder Hysenin i cili gjithashtu ishte njeri i afërt i Rugovës, 21 janari i vitit 2006, shënon ditën kur vendi humbi një burrë të madh.

Image may contain: 2 people, people sitting and indoor

“Sot, 13 vite pas, kjo humbje, dita ditës, po duket të jetë e pazëvendësueshme. E sotmja dhe e ardhmja jo shumë e qartë në Kosovën e tij, dhe tonë të dashur është dëshmia më e mirë për këtë”.

“Ishte ky pra arkitekti i shtetit të pavarur të Kosovës, Presidenti i saj historik Ibrahim Rugova. Ndërsa e kujtojmë me pikëllim të thellë ditën e shkuarjes së tij në amshim, duhet theksuar e ritheksuar pareshtur se Ibrahim Rugova, me një vizion të pashoq instaloi, për herë të parë në Kosovë, një sistem fondamental vlerash demokratike me orientim të padiskutueshëm për miqësi të veçantë me SHBA dhe integrim në BE e NATO”, është shprehur Hyseni gjatë ditës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)