Kryeministrat e Greqisë dhe Turqisë, në një moment tepër të tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, kanë pasur një bisedë telefonike të kërkuar nga pala turke në mbrëmjen e së martës.
Tsipras i ka thënë homologut të tij Gildirim se zhvillimet e fundit dëmtojnë marrëdhëniet greko-turke, ato euro-turke dhe shkelin të drejtën ndërkombëtare. Gjithashtu, i ka theksuar atij nevojën për t’i dhënë fund menjëherë shkeljeve provokuese në rritje në ujrat territoriale dhe hapësirën ajrore të ishujve grekë në Egje dhe për të ulur tensionin.
Biseda telefonike e dy udhëheqësve është bërë pas një sërë zhvillimesh që pasuan incidentin e orëve të fundit, kur një anije ushtarake turke ka përplasur një anije greke pranë ishullit, Imia të kontestuar nga Turqia.
Në fillim, Athina ka bërë një notë proteste ndaj Ankarasë dhe ka thirrur për shpjegim ambasadorin turk në kryeqytetin grek. Më pas, Ministria e Jashtme turke ka deklaruar se ishullli Imja i përket Turqisë, ndërsa përgjigjja e palës greke ka qenë se Ankaraja, përveçse ka humbur logjikën, dëshmon se nuk njeh as gjeografi.
Ndërkohë, Ministria greke e Mbrojtjes, që ndjek me shqetësim situatën, ka shpallur gjendje të lartë gadishmërie të trupave ushtarake, ndërsa ministri Kamenos do të informojë në Samitin e NATO-s për zhvillimet e fundit. Gjithashtu, të paktën 8 anije ushtarake greke janë çuar përreth ishullit Imja, ku thuhet se ndodhen edhe 11 luftanije turke.
Nga ana e tij, Uashingtoni ka bërë thirrje për qetësi dhe zgjidhje diplomatike, duke kërkuar nga të dypalët të respektojnë marrëveshjen e vitit 1996, kur dy vendet u gjenden thuajse në prag lufte. Sipas kësaj marrëveshjeje, Greqia dhe Turqia duhet të largojnë trupat ushtarake nga kjo zonë dhe të mos provokojnë njëra-tjetrën.
Gjithashtu, edhe BE-ja ka reaguar me një deklaratë me anë të së cilës i ka kërkuar Ankarasë të respektojë parimet e fqinjësisë së mirë.
COMMENTS