Një qen gjashtëvjeçar i cili ka një sens nuhatje mbi mesataren i ka shkaktuar shumë probleme karteleve të drogës në Kolumbi, saqë tani “narkot” ofrojnë 7000 dollarë për këdo që e vret apo e kap.
Deri tani, Sombra, një pastor gjerman, ka ndihmuar policinë të kapë deri në 2000 kilogramë kokainë të fshehur në kuti bananesh, varka, varëse e këpucë, sasi që në SHBA do të kapte vlerën e 60 milionë dollarëve.
Qeni vepronte në zonat e dominuara nga trafikantët. Në qytetin portual, Turbo, ajo gjeti një ngarkesë të madhe të Klanit të Gjirit, një kartel i fuqishëm në Kolumbi, i cili po niste mallin për në Europë. Tani, karteli ka ofruar shumën e majme për kokën e Sombras.
Policia mësoi për këtë përmes përgjimeve të trafikantëve dhe vendosi ta dërgonte qenin në Bogota për të qenë më i sigurtë me detyrën e re në aeroportin ndërkombëtar të kryqeytetit kolumbian, ku tani punon gjashtë orë në ditë.
Pas disa vitesh në qetësi, kokaina ka dalë sërish në skenë në Kolumbi dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vitet e fundit miliarda dollarë në ndihmë Kolumbisë për të shfarrosur fushat e mbjella me koka.
COMMENTS