Katër mrekullitë te xhamia e Bubavecit

Katër mrekullitë te xhamia e Bubavecit

BIRRA, VENË DHE MISH – SI U BËNË BASHKË DONIKA KADAJ-BUJUPI ME HASHIM THAÇIN

Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve ishte një mrekulli në vete dhe kjo mrekulli kishte disa shtylla të forta. Pa dyshim, njëra ndër shtyllat kryesore ishte harmonia fetare
Të gjitha rrugët atë ditë të enjte të 24 prillit 1990 të çonin në Bubavec, më saktësisht në xhaminë e Bubavecit. Askush nuk ishte në gjendje të përcaktonte numrin e saktë të pjesëmarrësve, por flitej për një shifër prej 300.000 vetash. Nëse nuk dihet numri i saktë i pjesëmarrësve, dihet se asnjëherë në historinë tonë, para as pas këtij tubimi, nuk janë mbledhur më shumë vetë në një xhami.

Vetë Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve ishte një mrekulli në vete dhe kjo mrekulli kishte disa shtylla të forta. Pa dyshim njëra ndër shtyllat kryesore ishte harmonia fetare. Edhe vetë Mulla Xhevat Kryeziu në fjalimin hyrës në mes të tjerash tha: “Populli ynë u ndesh me pushtues të ndryshëm, e si rrjedhojë e kësaj mori tri fe, por që të tria (myslimane, katolike e ortodokse) nuk e ndryshuan shpirtin dhe mendjen e njeriut tonë. Jeronim de Rada ishte orthodoks, Naim Frashëri mysliman, Ndre Mjeda katolik, por populli ynë i njeh vetëm si tre tribunë të kulturës sonë, ngase të tillë ishin dhe mbeten”. Po, si u pa kjo harmoni fetare pikërisht në xhaminë e Bubavecit :

1. Edhepse organizimin, me shumë e shumë peripeci, e bëri Mulla Xhevat Kryeziu, edhe pse pati disa fjalime, më së miri u pritën fjalimet e profesor Anton Çettës dhe të Dom Lush Gjergjit. Edhe piktorët akademikë Idriz Berisha dhe Sejdi Kapllani, i dhuruan nga një pikturë, pikërisht profesor Antonit dhe Dom Lushit.

2. Plaku nga Drenica, Mujë Loshi, propozoi që “sivjet është mirë që të mos shkojmë në Qabe për haxhillëk, por ato mjete t’i shpenzojnë për ata që po i mbajnë studentët në Medrese dhe në Kishat tona”.

3. Një shqiptar i besimit krishterë ia fali gjakun e babait një shqiptari të besimit mysliman dhe me atë rast tha: “I kemi dy fe, por nëntëdhjetë fije na bashkojnë, e pse të mos e shtrij dorën?”.

4. Një shqiptar i besimit mysliman ia fali gjakun e djalit një shqiptari të besimit të krishterë, dhe me atë rast e kishte edhe një kërkesë: “Prej sot kërkoj që familja të cilës ia falëm gjakun, të kthehet nga Kroacia, ku ka ikur dhe të vijë këtu në Kosovë, që fëmijët të mësojnë në gjuhen shqipe. Ishim dhe jemi prapë vëllezër.”

E pse po them mrekulli? A nuk është mrekulli që në një xhami, ku dihet shumë mirë përqindja e pjesëmarrësve, më të respektuarit të jenë dy katolikë, e madje-madje njëri prej tyre prift?

A nuk është mrekulli, që një plak shumë i respektuar, mysliman të propozojë që paratë që harxhoheshin për Qabe të shpenzohen “edhe për kishat tona” .

A ka më mrekulli që një i krishterë të falë gjakun e babait pikërisht në xhami? Nuk besoj se mund të gjendet edhe një rast tjetër i tillë në botë!

Po si të quhet ndryshe përveç se mrekulli që dikujt që ia vrasin djalin të kërkojë që familja e vrasësit të kthehet e të jetojë prapë në fshat? E dihet se zakoni ynë e kërkonte të kundërtën, e kërkonte që familja e vrasësit të largohej sa më larg nga fshati. Dhe ishte e arsyeshme, sepse është shumë vështirë të shohësh dikë që ta ka vrarë të afërmin, djalin, prindin, vëllain…, duke shëtitur ose punuar. E kur jetohet në një fshat është vështirë t’u ikësh këtyre takimeve. E sa herë që e sheh vrasësin ose dikë nga familja e tij është e pamundur të mos të të kujtohet i vrari. Është e pamundur të mos hapen plagët e rënda, të cilat vetëm ata që e kanë përjetuar e dinë sa shumë dhembin, sa të padurueshme janë.

E pse te xhamia e Bubavecit kërkohet ky kthim? Sepse “ishim dhe jemi prapë vëllezër”.

Kërkohej kthimi, sepse ky kthim ishte interes i Kosovës. Edhe gjaqet u falën sepse e kërkonte interesi i Kosovës, i Kombit. Ishte kohë kur shihej vetëm interesi i përgjithshëm. Dhe për interes të përgjithshëm punohej.

Mulla Xhevati e filloi dhe e përfundoi këtë tubim madhështor. Fjalia e tij me të cilën e mbylli këtë tubim ishte: “Shihemi te Verrat e Llukës më 1 Maj!”.

Thirrja e parë publike për te Verrat e Llukës, një mrekulli tjetër kjo. Mrekulli e llojit të vet!

Riza Ahmet Krasniqi

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)