Në përkujtim të rreth 150 të burgosurve që u vranë 19 vite më parë në burgun e Dubravës nga forcat kriminale serbe, vendin ku u krye kjo masakër e vizituan familjarët e të rënëve së bashku me anëtarët e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticion ku kërkuan drejtësi dhe kërkim falje për këtë masakër.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, u shpreh se fal sakrificës për liri sot e gëzojmë lirinë dhe shtetin.
“Për mua është kënaqi më qenë me juve, unë si kryetare bashkë me Komisionin dhe deputetët prej Kuvendit do të bëjmë çdo gjë që mos me harrua këtë moment”, u shpreh ajo, raporton KP.
Ish i burgosuri në burgun e Dubravës, Nait Hasani i cili e kishte përjetuar nga afër gjithë tmerrin e asaj masakre, kërkoi që të gjykohen ata që e kanë kryer këtë masakër. Ai shumë i emocionuar tregoi edhe disa nga momentet se si ndodhi kjo masakër.
“Ata na vranë, ata edhe sot janë të lirë ata nuk janë gjykuar asnjëherë, asnjëherë nuk është marr për bazë kërkesa jonë, kërkesat tona kanë qenë të drejta nuk kemi kërkuar asgjë të jashtëzakonshme vetëm kemi kërkuar drejtësi, dhe sot kërkojmë drejtësi dhe ky tubim këtu, ky përkujtim këtu kërkon drejtësi për të rënët, kërkojmë drejtësi për 22 majin e 99-tës, që janë vrarë 120 e janë plagosur mbi 300 nga 100 të burgosur sa kemi qenë këtu. Jemi vra nga kjo pika mbrapa këtu e karakollat nga anash majtë nga policia, nga ushtria dhe nga të burgosurit serb”, u shpreh ai.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, shteti mund të bëjë më shumë në sjelljen e drejtësisë për rënien e të burgosurve në burgun e Dubravës. Ai shtoi se asgjë nuk është ndërmarr edhe për kallëzimin penal që ish-të burgosurit e kanë bërë, ku gjendet emrat e të gjithë atyre që kryen masakrën.
“Shteti jonë është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, shteti jonë ka mundësi të bëjë më shumë, ka mundësi të kërkoj drejtësi, ka mundësi që të vendos drejtësi për ata që kanë rënë këtu edhe njëherë kërkojmë në emër të të kolegëve ish-të burgosurve, kërkoj edhe nga Kuvendi, Ministria e Drejtësisë që akuzat tona që i kemi bërë që e kemi drejtuar akuzën tonë dhe kallëzimin penal më 19 janar 2007 në Pejë nuk është marr asnjë masë. Në kallëzimin tonë penal dihen emrat që na kanë vrarë nga drejtori i burgut e deri te gardianët”, u shpreh ai.
Hasani thotë se familjet do të ndihen mirë vetëm atëherë kur drejtësia do të shkojnë në vend.
Homazhe e kurora lule u vendosen te vendi ku ndodhi vrasja e të burgosurve, derisa lotët e dhimbja ishin ato që shoqëronin çdo familjar të të rënëve.
Vëllai i të burgosurit të vrarë në masakrën e 22 majit 1999, Mikel Maksuti u shpreh se si familjar nuk po kërkojnë hakmarrje ndaj kryesve të kësaj masakre, por vetëm kërkim falje.
“Nuk po dëshirojmë hakmarrje, por po dëshirojmë që kriminelët me dal para drejtësie, i bëj thirrje edhe Hashimit, edhe Kadrisë, edhe Ramushit që së paku me kërkua falje para familjes”, u shpreh ai.
Për masakrën e burgut të Dobravës, e cila ndodhi prej 19 deri më 24 maj 1999, ende nuk dihet numri i saktë i të vrarëve, por dyshohet se u vranë prej 120-150 të burgosur shqiptarë, derisa u plagosën 300 të tjerë.
COMMENTS