Sipas anketës “Statistikat e Hotelerisë TM1-2018” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tre muajt e parë të vitit në 187 hotele të Kosovës kanë qëndruar mbi 64 mijë persona, dhe më shumë se gjysma e tyre ishin vizitorë të huaj.
“Në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1 2018) pjesë e anketës ishin 187 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi ishte 12.38%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë 2018, në këto hotele ishte 64.501.
Prej tyre, 42.69% ishin vizitorë vendorë, kurse 57.31% ishin vizitorë të jashtëm.
Ndërkaq, numri i bujtjeve në TM1 2018 ishte 86.227 bujtje, ku 40.70 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 59.30% nga të huajt.
Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka rajoni i Prishtinës me 29.487 vizitorë dhe 41.224 netëqëndrime.
Përveç vizitorëve nga Shqipëria, ASK radhit vizitorët nga Turqia dhe ShBA.
“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Turqia, ShBA, etj.”, thekson ASK.
COMMENTS