Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës

Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës

Uji vërshon Gadimen e Lipjanit (Video)

E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se nëpajtim me përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për Amnistinë, i iniciuar nga një grup deputetësh.

Në bazë të analizës, Qeveria vlerëson se nisma nuk është në harmoni me motivet e zakonshme për nxjerrjen e ligjit. Projektligji synon përjashtimin nga ndjekja penale individë të caktuar të cilët kanë përgjegjësi penale individuale për veprat përkatëse. Kjo e bën këtë Projektligj të paprecedent, thuhet në mendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria ka dhënë gjithashtu mendimin edhe për Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës. Qeveria vlerëson se ky Projektligj duhet të miratohet në pako me Projektligjin për organizimin e administratës publike, Projektligjin për zyrtarët publik dhe Projektligjin për pagat, duke marr parasysh ndërlidhjen mes këtyre Projektligjeve.

Me vendimin e Qeverisë është miratuar Strategjia sektoriale për punësim dhe mirëqenie sociale 2018-2022. Strategjia evidenton objektivat dhe aktivitetet që do të merren sipas afateve të planifikuara. Është kjo përpjekje e Qeverisë së Kosovës për të punuar në vizionin sipas të cilit të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta në punësim dhe mbrojtje sociale.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar vendimet për miratim të buxheteve komunale për vitin 2018, të komunave Suharekë dhe Kamenicë.

Është miratuar edhe vendimi për dhënien e pëlqimit për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për prokurim publik të Republikës së Kosovës, për të gjitha mjetet e alokuara të buxhetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kategorinë mallra dhe shërbime dhe në pozicionin buxhetor të konsulencës. Vendimi arsyetohet për shkak të specifikave dhe masave të veçanta të sigurisë dhe fshehtësisë zyrtare.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme, Qeveria ka autorizuar Klubin e Futbollit “Prishtina”, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar dokumentacion për dhënien në shfrytëzim të një parcele kadastrale në Komunën e Prishtinës.

Edhe Federata e Futbollit të Kosovës është autorizuar me vendim që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kryerjen e përgatitjeve për shpronësimin e pronës së paluajtshme, të ngastrës kadastrale 585/4 në Komunën e Prishtinës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin për komunitete. Programi përcakton kriteret dhe procedurat për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës. Programi do të zbatohet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.

Me propozimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, është miratuar nisma për lidhjen e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për shkëmbimin e personelit.

Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së grantit në mes të Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Departamenti Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës i përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Granti do të shfrytëzohet për financimin e projektit “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale, Faza VI”.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për masat e uljes së kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë. Koncept dokumenti adreson prioritetin e zhvillimit ekonomik të vendit që përmes përdorimit të teknologjisë informative të fuqizohet zhvillimi gjithëpërfshirës i shoqërisë dhe ekonomisë së vendit. Ekonomia digjitale sjellë përfitime të qëndrueshme ekonomike dhe sociale duke u bazuar në shërbime moderne online dhe me lidhje të shpejtë të internetit. Për të realizuar këtë duhet një infrastrukturë cilësore digjitale që mbështet të gjithë sektorët e një ekonomie moderne, inovative dhe është me rëndësi strategjike për kohezionin social të një vendi.

Për nevoja të Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit, Qeveria ka ndarë mjete në vlerë prej 50 mijë euro. Mjetet e ndara do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve që kontribuojnë në marrëdhëniet midis komuniteteve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka diskutuar për situatën e shërbimit ë zjarrfikësve në Republikën e Kosovës dhe është dakorduar që statusi i zjarrfikësve të rregullohet në rrugë ligjore. Për këtë, kryeministri ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme që të përgatis analizën e politikës për rregullimin e kësaj çështje.

Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e sotme ka propozuar dhe Qeveria ka aprovuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 13/06, të datës 3 tetor 2017, sipas të cilit pika 1 e vendimit zëvendësohet me: “Aprovohen lehtësirat për ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ, për strukturën e pagesave të ujit”.

Me propozim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është aprovuar Udhëzimi Administrativ për njohjen e gjuhëve të huaja për të gjithë ata që aplikojnë për studime në ciklin e II dhe III të arsimit.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka njoftuar kabinetin qeveritar për bisedimet që kjo ministri është duke zhvilluar me donatorë të ndryshëm për mbështetjen e projekteve të kësaj ministrie që kanë të bëjnë me zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit në Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst është veçuar bashkëpunimi me GIZ-in.

Kryeministri ka njoftuar kabinetin për Samitin e Londrës me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projekteve zhvillimore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri e ka vlerësuar samitin si një ngjarje të mirë dhe plotë shpresë për përfitimet e financimit të projekteve në Kosovë. Poashtu, kryeministri njoftoi kabinetin qeveritar për takimin me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May si dhe me disa ministra të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)