Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, në vitin 2017, sa ishte deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të majme.
Vetëm pasuri të paluajtshme, Buja ka deklaruar mbi gjysmë milioni euro, saktësisht 620 mijë euro.
Këtu përfshihet një motel që kap vlerën e 180 mijë eurove dhe një banesë në vlerë 110 mijë euro.
Ndër të tjerash, të hyrat vjetore të Bujës vijnë nga paga, lokalet të lëshuara me qira, toka të lëshura me qira dhe biznese të cilat disa i posedon krejtësisht vetë, e në disa është aksionar.
Vetëm paratë që ish-kryetari i Lipjanit kishte deklaruar në AKK se i mban në bankë, përfshinin shumën e 3 mijë eurove.
Buja ka gjithashtu një traktor dhe 2 vetura, të cilat ka deklaruar se vlejnë bashkë 38 mijë euro.
Buja u dënua sot nga Gjykata me tri vjet burgim. Ai ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrëz zyrtare, përderisa ky rast ishte gjithashtu i shënjestruar për liberalizimin e vizave.
Shukri Bujës iu shqiptua dënimi prej tri vitesh burg për shkak se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare derisa ka udhëhequr me komunën e Lipjanit. /Insajderi
COMMENTS