Në prag të takimit me Federica Mogherinin, delegacioni kosovar që udhëtoi në Bruksel të martën realizoi një fotografi me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian.
Para se të zinin vendet për fotografinë e përbashkët, disa nga anëtarët e delegacionit kosovar ngurruan të dilnin në pjesën ku po qëndronte Mogherini. E në këtë situatë filloi një komunikim i pazakontë mes tyre, një komunikim jo zyrtar me nofka.
Kryeparlamentari Kadri Veseli e ftonte Behgjet Pacollin që t’i bashkohej atij dhe Mogherinit në podium, teksa i drejtohej atij si “bac”.
“Hajde bac! Hajde bac hajde”, i thoshte Kadri Veseli, ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit në prani të Mogherinit, transmeton Insajderi.
Ndërkaq, presidenti Thaçi i drejtohej delegacionit kosovar ku bën pjesë edhe ai vet, si: “Kosovo Family” dhe i ftonte ata për të realizuar një fotografi duke thënë: “Hajde Family”.
Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ishte fiksuar pas një simboli të flamurit kosovar që e mbante në uniformën e tij. Këtë simbol, ai ia tregoi fillimisht Mogherinit.
“Më lë që ta fokusoj flamurin e Kosovës”, i tha Haradinaj, Mogherinit. Derisa pas realizimit të fotografisë, Haradinaj tha se herën tjetër do ta merrte një flamur të vogël të Kosovës për ta mbajtur në duar.
I gjithë ky bashkëbisedim mes pjesëtarëve të delegacionit kosovar dhe Federica Mogherinit është inçizuar nga kamera e Zërit të Amerikës, pak para se të fillonte takimi mes dy palëve.
COMMENTS