Konfuzion rreth numrit të njohjeve

Konfuzion rreth numrit të njohjeve

VDES NGA FRUTHI NJË 37-VJEÇAR

Publikimet në media, fillimisht në ato serbe, se Republika e Surinamit “ka tërhequr njohjen” ndaj Kosovës, si dhe përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, se ajo nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë tërheqje eventuale të njohjes nga Surinami, ka nxitur sërish konfuzion lidhur me numrin e saktë të njohjeve formale që ka marrë Kosova.

Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 114 njohje, përfshirë edhe Republikën e Surinamit.

I paqartë mbetet numri i këtyre njohjeve edhe për anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pati kjo brenda koalicionit qeverisës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se edhe në mandatin e kaluar të legjislativit është kërkuar nga ekzekutivi i mëparshëm që numri i njohjeve të Kosovës të bëhet publik.

Sipas saj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje rreth numrit të saktë të njohjeve nga ministri i Punëve të Brendshme. Por, tash për tash, siç thotë ajo, numri i njohjeve besohet të jetë ai që është në listën e njohjeve të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të vendit.

“Ne nuk mund të themi se na ka njohur një shtet nëse nuk na ka njohur. Kjo (lista e njohjeve) na u ka servuar dhe e dimë se gjithçka është bërë publike. Megjithatë, mund të kërkojmë edhe zyrtarisht që ta dimë saktë se sa është numri i njohjeve, në mënyrë që ta kemi parasysh që me cilat vende duhet të aranzhojmë ë të zhvillojmë takime dhe të lobojmë për njohje të reja të Kosovës”, është shprehur deputetja Kadrijaj.

Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Dukagjin Gorani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dëshira e madhe që Kosova të ketë sa më shumë njohje, ka prodhuar një situatë të paqartësisë formale dhe teknike.

“Pra, ekziston një bindje që numri i njohjeve nuk i nënkupton vetëm shtet që e kanë formalizuar njohjen, por edhe shtetet që kanë qenë në proces të formalizimit ose që eventualisht e kanë shprehur mundësinë e njohjes në të ardhmen. Mirëpo, prej dëshirës së madhe, si duket, e ndoshta edhe papërgjegjësisë, Ministria e Jashtme e Kosovës (në mandatet e deritashme), pra ministrat e caktuar, gjatë gjithë kohës nuk e kanë qartësuar përfundimisht se cilat njohje janë të formalizuara dhe cilat janë në proces”, thekson deputeti Gorani.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e njohjeve të Kosovës, deri më tash më shumë ka shërbyer si lloj kamuflimi për dështimet në politikën e jashtme të vendit. Rritja e numrit të njohjeve apo ngecja e tyre, sipas tij, nuk ka sjellë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e shtetit të Kosovës në politikën ndërkombëtare.

“Çështja e njohjeve është shndërruar në një lojë politike dhe për këtë arsye edhe është krejtësisht tragjikomike që nuk dihet numri i saktë i shteteve, të cilat e kanë njohur Kosovën, gjë që është shumë e lehtë për t’u verifikuar. Mjafton vetëm një komunikim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të shtetit përkatës, që të evidentohet kjo çështje me saktësi zyrtare”, tha Mihaxhiri.

Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Kosovës, nuk kanë qenë të qasshëm për të sqaruar nëse është i saktë numri i vendeve, të cilat figurojnë në listën e vendeve që kanë njohur Kosovën, që është publikuar në faqen e internetit të kësaj ministrie.

Deputetët, anëtarë të komisionit parlamentarë për punë të jashtme, kanë theksuar se gjatë ditëve të ardhshme, deputetët duhet ta ftojë ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin dhe të kërkojë saktësimin e numrit të njohjeve, si dhe qartësimin dhe shpjegimin e situatës së krijuar lidhur me tërheqjen e supozuar të njohjes nga Surinami.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)