Parajsë! Fadil Vokrri, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari kanë veshur një shall kuqezi dhe janë ulur përpara ekranit. Mijëra kilometra larg, Slobodan Milosevic dhe Željko Ražnatović, i vetëquajturi Arkan, qëndrojnë në heshtje. Ata këtë ndeshje e panë në ferr.
Vokrri është ende në lotë. Thonë që Zoti më të mirët i do me vete, por për të nuk ishte koha për të ikur. Kosova e tij ndërtoi një skuadër futbolli të denjë, ai ndërtoi një stadium, skuadrat e 21 dhe 19-vjeçarëve morën rezultate fantastike, kampionia e vendit kaloi një turn në Champions. Çfarë do të dëshironte më shumë një president federate? Në fund, Milosevic dhe Arkan do të humbisnin sërish. Vokrri, Rugova dhe Adem Jashari, do të shpërthenin në festë. Kosova fitoi ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare. Një tjetër pavarësi.
Në Prishtinë mund të ishin sa të donin. Ishin 13 mijë, sepse aq mban stadiumi me emrin e heroit të futbollit. Ishte nata perfekte. Provat gjenerale kishin mbaruar, 3 miqësore të fituara dhe një barazim 0-0 në Baku. Momenti kishte ardhur. Arbër Zeneli, autori i golit të parë, ka lindur në Suedi në 1995-ën. Djalë i një familjeje në emigracion prej luftës, ndërsa Atdhe Nuhiu, autori i golit të dytë, kishte lindur 6 vite më parë në Prishtinë. Lufta sapo kish nisur dhe familja e tij u detyrua të largohej.
Futbolli është i jashtëzakonshëm. Ai është sinonim i qartë i faktit. Një ditë do të ketë luftë, por askush nuk do të marrë pjesë! Të gjithë ata që ishin në tribunën e stadiumit të Prishtinës diçka kanë humbur nga ajo luftë. E duan Shqipërinë sa zemra ua di, por Kosova është, sot për sot, objektivi i tyre. Futbolli e sfidoi sërish politikën. Fitoi!
Trajner i ri, emra të rinj, stadium i ri, 5 ndeshje, asnjë gol i pësuar, kandidatë kryesorë për të shkuar në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve. Një skuadër e re, që luan një futboll tërheqës dhe po merr vëmendjen e gjithë kontinentit. Kjo është Kosova. E ardhme e sigurt, e shkuar e vuajtur, e tashme e suksesshme. Vokrri, mesnatën e së hënës, trokiti gotat me Rugovën e Jasharin dhe u tha: E bëra dhe unë Kosovën time, njësoj si ju. Njësoj si ata iku pa e shijuar. Zoti i do më të mirët pranë vetes.
Shkruan: Gjergji Stefa
COMMENTS