Kosova dhe Shqipëria, bashkë kujtojnë eksodin e vitit 1999

Kosova dhe Shqipëria, bashkë kujtojnë eksodin e vitit 1999

Diaspora ia lë Kosovës rreth 1 miliard euro në vit

Popullata e dy vendeve; nga Kosova dhe Shqipëria, bashkë kujtojnë Eksodin e vitit 1999, ditën kur forcat serbe dëbuan rreth 1 milion banorë nga Kosova drejt Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Kukësi ishte qyteti që mbajti barrën më të rëndë të asaj pranvere, andaj sot pas 19 vitesh, ky qytet në shenjë falënderimi vizitohet nga shumë qytetarë të viseve të ndryshme të Kosovës.

Është ky qyteti i parë shqiptar që priti popullatën e dëbuar nga trojet e veta në pranverën e 1999-s. Kukësi sot u popullua sërish si atëherë, por sot nuk ka më lot.

Melihate Meha e viziton pas kaq vitesh sheshin ku u vendos familja e saj në ato ditë të vështira. Ajo i ka të freskëta kujtimet e asaj pranvere.

Kujtim Shala nga një fshat i Shqipërisë, i cili atë kohë ka mbajtur një familje nga Opoja, ka dëshirë t`i shohë sërish sot këtu. Thotë se atëherë si shumë qytetarë të tjerë bëri veç një detyrë vëllazërore.

U bënë 19 vjet e bashkë me popullatën, drejt Kukësit udhëtuan edhe krerët e komunave të Mitrovicës e Prizrenit, të cilët u pritën nga kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu. Ato ditë të vështira duhet të jenë motiv për ta çuar përpara zhvillimin e dy vendeve.

Në 19 vjetorin e eksodit kosovar në Kukës, Ministrit të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës Behgjet Pacolli, iu dorëzuan nga Bashkia Kukës dhe Këshilli i Qarkut Kukës, titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”. Pacolli u shpreh se Kukësi është kryeqyteti i mikpritjes dhe bujarisë mbarëshqiptare, raporton RTK.

Ndërkohë mijëra qytetarë nga dy vendet morën pjesë në aktivitetet kulturore artistike që u zhvilluan në qytetin e Kukësit në përkujtim të ditës së bujarisë “Eksodi 99” të datës 16 prill.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)