Kombëtarja e Kosovës e ka regjistruar fitoren e parë historike në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e parë në Baku përballë Azerbajxhanit, Kosova barazoi pa gola duke arkëtuar vetëm një pikë.
Ndërsa, sonte në stadiumin, ”Fadil Vokrri”, futbollistët e Kosovës kanë marrë pikë të plota në përballjen ndaj Ishujve Faroe.
Djelmoshat e Bernard Challandes u treguan shumë më të mirë në fraksionin e parë, duke krijuar raste të njëpasnjëshme, por pa konkretizim, transmeton IndeksOnline.
Ndërsa, Ishujt Faroe treguan lojë defanzive, dhe tentonin vetëm nga kundërsulmet t’i befasonin kosovarët. Me rezultat, 0-0, përfundoi pjesa e parë.
Pjesën e dytë, Kosova e filloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas disa rasteve të vazhdueshme, ishte Arbër Zeneli, ai i cili ia dhuroi epërsinë e parë Kosovës.
Sulmuesi kosovar shënoi një gol të bukur duke iu shmangur mjaft mirë mbrojtësit kosovar.
Pas pesë minutash lojë, u akordua një goditje dënimi. Pas një harkimi në zonë, Atdhe Nuhiu shënoi golin e dytë për futbollistët e Kosovës.
Kosova nuk ishte e ngopur me dy gola, teksa kërkuan të shënonin edhe më shumë gola ndaj Ishujve Faroe, por pa sukses.
Kështu, pas fitores së sontme dhe dy ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ngritet në vendin e parë me katër pikë në Grupin 3 në kuadër të League D, ndërsa Ishujt Faroe mbesin në vendin e dytë me tri pikë.
COMMENTS