Përfaqësuesja e Kosovës në futboll mbylli në vendin e fundit edicionin e parë zyrtar të eliminatoreve dhe tani është vënë në kërkim të një trajneri për të drejtuar ekipin në aktivitetet e ardhshme.
Albert Bunjaku nuk bindi në performancën e tij, sepse krahas kontestimit nga ana e tifozëve, ai shfaqi probleme edhe me menaxhimin e grupit, duke u grindur me të paktën pesë futbollistë.
Kështu, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, nisur edhe nga eksperienca e Shqipërisë, ka hedhur sytë nga Italia, për të gjetur trajnerin e ardhshëm, përcjell SS.
Sipas raportimit të mediave italiane, Vokrri është takuar me Rodolfo Vanolin dhe kanë arritur një akord paraprak, për t’i besuar italianit drejtimin e njërës prej kombëtareve më të reja të FIFA-s, e pranuar vetëm në vitin 2014.
Vanoli ka drejtuar kryesisht klube të vogla në Itali dhe jashtë, ndërsa klubi më i madh është Udinese, të cilën e ka drejtuar në vitet 2007-2009. Trajneri italian ka drejtuar skuadra zvicerane si Lugano dhe Bellinzona, ndërsa së fundi, Vanoli ka drejtuar klubin e madh nga Sllovenia, Olimpia Ljubjanën.
Ditëve të fundit, stoli i Përfaqësueses së Kosovës u lidh edhe me legjendën gjermane, Lothar Mattheus, i cili mohoi një gjë të tillë.
COMMENTS