Kosova i jep lamtumirën e fundit yllit të vet të futbollit

Kosova i jep lamtumirën e fundit yllit të vet të futbollit

Prishen krejt matematikat e koalicionit, Glauk Konjuca zgjedhet kryeparlamnetar

15:51 – Qindra qytetarë janë grumbulluar në Dragodan, te varrezat e qytetit të Prishtinës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Pamjet i sjellin gazetarët e Grupit KOHA që po përcjellin ngjarjen e fundit në agjendën e ceremonisë me të cilën Kosova e përcjell për në banesën e fundit yllin e vet të futbollit.

Nga jo që shihet, Vokrri do të pushojë në mes të një hapësire që do të kthehet në memorial për të.

Ceremonia e varrimit të tij nis në orën 17:00.

ImageZyrtarë serbë kanë ardhur në homazhe për Fadil Vokrrin

15:49 – Në ceremoninë mortore për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili vdiq dje, në Prishtinë kanë ardhur zyrtarë të lartë të futbollit të Serbisë dhe nga ish-klubi ku luajti Vokrri – Partizani i Beogradit.

KALLXO.com merr vesh se në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit kanë ardhur ish-kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiq dhe kryetari i klubit Partizani, Millorad Vuçeviq.

Mediumi ka siguruar fotografi të veturave me të cilat kanë ardhur nga Beogradi zyrtarët e futbollit serb.

Për sigurinë e këtyre zyrtarëve të lartë po përkujdeset Policia e Kosovës.

Në homazhet e zhvilluara në hollin e Kuvendit të Kosovës sot është parë edhe zyrtari i FIFA-s, Zvonimir Boban.

Këto janë fotot e veturave të zyrtarëve të futbollit serb që kanë ardhur në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili ka qenë edhe lojtar i klubit beogradas Partizani dhe i përfaqësueses së Jugosllavisë.

ImageHaradinaj: Vokrri mbajti gjallë frymën e sportit edhe në vitet 1990-1999

15:14 – “Ndarjet nga një sportist i dalluar kanë dimensionin e vet dhe, të parët që preken janë sportistët, bashkë lojtarët, ata që kanë ndarë shumë momente të sportit me të. Fadili bënë përjashtim. Fadil Vokrri ishte i të gjithëve. Nuk e di kush nuk ka qenë i afërt me të. Fadili ishte një sportist shpirtbardhë, i cili mërzitej nga lajmet e këqija për këdo qofshin, jo vetëm në sport, e i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë”.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Duke folur për rolin që kishte Vokrri për sportin kosovar, kryeministri tha se Fadili e kishte mbijetuar një krenari të sportit në kohëra jo të lehta për popullin tonë edhe para viteve të ’90-ta.

“Ai e mbajti gjallë frymën e sportit edhe mes viteve 1990-1999 dhe u kthye për t’i dhënë edhe njëherë përkrahjen sportit, sportistëve, jo vetëm futbollistëve, jo vetëm Federatës së Futbollit, por gjithë Kosovës, në periudhën e re të shtet ndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në familjen e sportit, familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra, ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj siguroi familjen Vokrri se sot nuk janë vetëm ata me dhimbje, por janë të gjithë, sepse Fadili ishte dhe do të mbetet çdo herë i të gjithëve me kujtimet më të mira.

Para të pranishmëve, nga një fjalë e mbajtën edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ndërsa në emër të familjes Vokrri të pranishmit me një fjalë i përshëndeti i biri i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri. “Është tepër vështirë ta përshkruaj babin tim. Besoj se vepra e tij flet vet. Andaj më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, për përkrahjen e vazhdueshme, se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni, por ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, tha ai.

Të pranishëm në mbledhjen komemorative ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, kryetar të komunave dhe personalitete të tjera.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot me nderime shtetërore në varrezat e Prishtinës, në ora 17:00.

Deputetët nderojnë Vokrrin

14:25 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nderuar kryetarin e ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Në mbledhjen komemorative kanë mbajtur fjalime kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, serketari i FFK-së, Eroll Salihu, kryetari i FSHF-së, Armando Duka dhe Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit.

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare. Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Nis mbledhja komemorative e Kuvendit për Vokrrin

14:10 -Ka nisur mbledhja komemorative e Kuvendit të Kosovës në nderim të Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit, i cili vdiq të shtunën në moshën 57-vjeçare.

Vokrri, që ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, vdiq pas një sulmi në zemër.

Prej orës 12:00 për dy orë u bënë homazhe për Vokrrin në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Varrimi i Vokrrit bëhet në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Homazhe për Vokrrin

Kanë nisur homazhet për Fadil Vokrrin, legjendën e futbollit shqiptar, që vdiq dje në moshën 57-vjeçare, pas një sulmi në zemër.

Homazhet po bëhen në hollin e Kuvendit të Kosovës, me ceremoni shtetërore.

Aty janë parë të pranishme figurat më të larta shtetërore, kolegë të të ndjerit e dashamirë të shumtë.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)