Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për gratë dhe burrat në Kosovë”, për vitet 2016-2017, ku thuhet se në bazë të raportit gjinor të popullsisë, janë 111.2 meshkuj për 100 femra. Ndërsa, mosha mesatare e të martuarve për vitin 2017 ishte 28 vjeçare për gra dhe 32 vjeçare për burra.
ASK thotë se të dhënat statistikore që janë paraqitur në publikimin “Gratë dhe Burrat në Kosovë, 2016-2017“ janë afatgjate dhe me analiza të shkurtra, të cilat pasqyrojnë situatën gjinore në Kosovë, sipas sektorëve të jetës ekonomike dhe sociale.
Sipas ASK-së, për përgatitjen e këtij publikimi janë përdorur të gjitha burimet e të dhënave të disponueshme, që ofrojnë informacion të plotë statistikor për të ndihmuar në perceptimin e situatës gjinore.
Publikimi “Gratë dhe Burrat në Kosovë” publikohet çdo dy vjet dhe përmban këta kapituj: Popullsia, Shëndetësia dhe Mirëqenia, Arsimi, Mbrojtja Sociale, Jurisprudenca, Tregu i Punës, Të ardhurat dhe Vendimmarrja.
“Informacionet statistikore, që janë paraqitur në publikimin “Gratë dhe Burrat në Kosovë 2016-2017“ paraqesin disa fakte të rëndësishme për disa indikatorë: Koeficienti i maskulinitetit ishte 111.2 meshkuj për 100 femra (më i lartë se raporti i përgjithshëm i raportit gjinor të popullsisë); Mosha mesatare e të martuarve për vitin 2017 ishte 28 vjeçare për gra dhe 32 vjeçare për burra; Të dhënat e fertilitetit kanë rënë, krahasuar me vitet e mëparshme nga 3 fëmijë për një grua në 2003, në 2 fëmijë për një grua në vitin 2017; Shkalla e punësimit te gratë ishte 12.7%, ndërsa te burrat 46.6%; dhe Shkalla e papunësisë për gratë ishte 36.6%, ndërsa 28.7% për burrat”, thuhet në komunikatën e ASK-së
COMMENTS