FSK do të mbrojë integritetin territorial, do të ketë autorizime edhe të përdorë forcën
Me ndryshime kushtetuese nuk u bë, por tani po bëhet me ligj, raporton T7.
Kështu, përmes këtij dokumenti me 30 nene Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mandat ushtarak.
Ndërkohë, në nenin katër është përcaktuar edhe kompetenca dhe detyrat e FSK-së.
“Forca e Sigurisë së Kosovës mbron integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor”.
Po në këtë projektligj janë përcaktuar edhe parimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu, FSK do të jetë forcë multietnike, vullnetare, profesionale e që do ti nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Po ky dokument parasheh që FSK, është forcë e paanshme dhe nuk mund të përdoret për veprimtari politike.
Bile, pjesëtaret e ushtrisë së Kosovës, nuk mund të jenë anëtar të partive politike.
Në këtë dokument është përcaktuar edhe pajisja me armatim e FSK-së.
“FSK do të jetë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat e FSK-së, për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj”.
E me këtë draft të ligjit, FSK edhe do të mund të përdor armatimin që e posedon.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është e autorizuar ta përdorë forcën, armët e zjarrit, mjetet dhe pajisjet që i ka në përdorim me qëllim të përmbushjes të kompetencave dhe detyrave te dhëna kushtetuese dhe ligjore”.
Ndërsa sipas këtij dokumenti, FSK do të veprojë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa sipas ligjit do të ketë jo më shumë se 5 mijë pjesëtar aktiv edhe 3 mijë rezervë.
Po ashtu është paraparë edhe hierarkia ushtarake, ndërsa komandant suprem do të jetë Presidenti.
Në këtë pako të ligjeve që FSK-në e shndërrojnë në ushtri, është hartuar edhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë.
Kështu ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e ushtrisë, nuk duhet të jenë nën moshën 18 vjeç e as të jenë mbi 23 vjeçar.
Ndërkohë është përcaktuar edhe teksti i betimit.
“Betohem solemnisht se do të jem i përkushtuar dhe do t’i qëndroj plotësisht besnik Republikës së Kosovës, se do t’iu bindem urdhrave të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe oficerëve tjerë mbi mua, në pajtim me ligjin, dhe se do t’i kryej detyrat e mia me zell, nder dhe dinjitet. Betohem solemnisht se do të zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do t’i shërbej popullit dhe Atdheut tim, dhe për mbrojtjen e tyre, nuk do të kursej as jetën time! Betohem!”
Pjesëtarët e FSK-së, do të gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore, ashtu që, jeta, figura dhe dinjitetit i pjesëtarit dhe familjes janë të paprekshme.
Bile kanë edhe një privilegj tjetër.
“Pjesëtari i FSK-së nuk mund të arrestohet nga Policia e Kosovës, brenda hapësirave dhe zonave të FSK-së. Në rastet kur pjesëtari i FSK-së ndalohet dhe arrestohet nga Policia e Kosovës, njoftohet Policia e FSK-së”.
E kur FSK, merr kësi kompetencash ushtarake, domosdo duhet riorganizuar edhe Ministria e FSK-së.
Kështu, tani ky dikaster qeveritar me ligjin e ri do të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes.
E kjo është paraparë në nenin 1 të projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes”.
Ndërkohë që kjo ministri do të ketë kompetencë, që të bëjë hartimin e dokumenteve strategjike të mbrojtjes, ligjeve e dokumenteve të tjera të nevojshme për funksionimin e ushtrisë.
Por ashtu Ministria e Mbrojtjes, do të ketë kompetencë edhe mbikëqyrjen dhe menaxhimin e të gjitha veprimtarive të inteligjencës dhe informacioneve të klasifikuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
COMMENTS