KRERËT SHTETËRORË THURIN LAVDE PËR KOSHAREN – VETERANËT E PAKËNAQUR THIRRIN PROTESTË KUNDËR MASHTRUESVE

KRERËT SHTETËRORË THURIN LAVDE PËR KOSHAREN – VETERANËT E PAKËNAQUR THIRRIN PROTESTË KUNDËR MASHTRUESVE

Dhunë në Ligën e Parë: Reagon ashpër Arbëria!

Nuk hezituan që betejën e Koshares ta quajnë fitore historike, trimëri të papërsëritshme, heqje e kufirit të dhunshëm, dhe epitete të ndryshme. Por, rastisi që pikërisht sot kur krerët më të lartë të shtetit e kanë plot gojën lavdi, një grup i veteranëve të pakënaqur ka bërë thirrje për protestë me të vetmin qëllim – pastrimin e listave të veteranëve.
Krerët shtetërorë thurin lavde për Kosharen – veteranët e pakënaqur thirrin protestë kundër mashtruesve
Ishte Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se Beteja e Koshares është fitore historike, duke kujtuar të rënët e Brigadës 138 Agim Ramadani.

“Beteja e Koshares ishte një fitore historike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, para 19 vjetësh, e shembi gurin e piramidës së kufirit që ndau një shekull tokat shqiptare”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Me krenari e kujtuam luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të luftës së UÇK-së. E kujtuam Sali Çekun, Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahun dhe me respektin më të lartë shtetëror e kombëtar nderuam sakrificën e gjithë ushtarëve dhe oficerëve të rënë në luftën për liri”, ka shtuar ai.

Kurse kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se shembja e kufirit në Koshare e ka ndërruar rrjedhën e historisë.

“Shembja e kufirit ndërshqiptar në Koshare i ka ndërruar rrjedhën historisë dhe është dëshmi se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se, përgjatë kësaj kohe janë parë tmerre të mëdha, por edhe trimëri të papërsëritshme.

“Në ecjen tonë deri në liri kemi parë tmerre të panumërta, por kemi parë edhe trimëri të papërsëritshme. Lufta çlirimtare, ëndrrën e shumë brezave për liri, e bëri realitet. Falë gjakut të atyre që u flijuan, ky shekull është i shqiptarëve të bashkuar e të integruar në familjen e popujve të lirë”, ka shkruar tutje kryeministri Haradinaj.

“Përulemi sot para të gjithë dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, brigada që në memorien shtetërore të Kosovës është kurorë lavdie, e unitetit dhe guximit shqiptar. Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, duke kujtuar betejën e Koshares, tha se 19 vjet më parë luftohej në katër anët e Kosovës, shkruan Insajderi.

“Sot nderojmë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të “Brigadës 138 Agim Ramadani”. 19 vjet më parë, nga Kosharja e deri në malet e Shalës, nga Maja e Pashtrikut e deri në Bjeshkët e Kaçanikut, UÇK luftonte me vendosmëri përballë makinerisë gjenocidale të Serbisë”, ka shkruar Veseli.

“Në ato ditë të lavdishme, “Brigada 138 Agim Ramadani” kishte përpara një detyrë të veçantë historike: shembjen e kufirit të dhunshëm, që për gati një shekull e ndau në dysh kombin tonë. Për dy muaj rresht, betejë pas beteje, nga të gjitha trevat shqiptare, ranë qindra luftëtarë të lirisë. Qindra të tjerë morën plagë, e shumë humbën gjymtyrët e trupit. Por, ëndrrën e Kosovës e bënë realitet. Lavdi dëshmorëve të Koshares dhe gjithë dëshmorëve të lirisë”, ka shtuar ai.

Veteranët e pakënaqur thërrasin për protestë

Një grup i ushtarëve të pakënaqur të UÇK-së janë shprehur të pakënaqur me listat dhe numrin e madh të veteranëve të luftës.

Për këtë arsye, ata gjatë ditës së nesërme kanë paralajmëruar një protestë, në të cilën do të shpalosen tri kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

“1. Pastrimin e listave të veteranëve; 2. Njohja e statutit të invalidit të gjithë atyre që si pasojë e luftës vuajnë nga sëmundjet e ndryshme; 3. Shkarkimi i komisionit invalidor i tanishëm i cili luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po ua refuzon njohjen kurse ata që i kanë blerë certifikatat me lekë po e kalojnë shkallën e invalidetit… Të gjitha këto të këqija që po ju ndodhin tash e sa vite veteranëve krejt është faji i Shoqatave dhe njerëzve të korruptuar brenda tyre”, thuhet në njoftim.

Duke i parë manipulimet dhe përfitimet me listat e veteranëve si dhe manipulimet me invalidët që janë duke i bërë sot, ata ftojnë “të gjithë veteranët, invalidët si dhe të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi që të bashkohen në protestë për t’i drejtuar kërkesat tona”.

Protesta është thirrur për nesër në orën 11:00 në sheshin Skënderbeu.

“Qonu burra ngritne zanin…”, përfundon thirrja e tyre.

Prokuroria nisi hetimet për listat e fryra të veteranëve

Ndonëse statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet ta gëzojnë mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës, listat e publikuara për këta veteranë tanimë janë objekt trajtimi i Prokurorisë së Shtetit. Kush me meritë dhe kush pa meritë një numër i madh i qytetarëve do të futen në skemën pensionale për përfitimin e veteranit të UÇK-së.

Ndërkaq, fillimi i hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të këtyre listave ka ardhur pas publikimit të tyre nga ana e Qeverisë, ku është parë një numër enorm i personave të të cilëve do t’u njihet statusi i veteranit të UÇK-së.

Organi i ndjekjes në Kosovë, Prokuroria e Shtetit, ka kishte bërë të ditur se prokurorët janë duke e bërë grumbullimin e informatave në lidhje me keqpërdorimin eventual të listave të veteranëve të UÇK-së.

“Prokuroritë janë duke marrë veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë dhe më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës. Tani në këtë fazë, ku hetimet janë duke vazhduar në prokuroritë kompetente, nuk mund të bëhen publike informatat tjera”, kishte thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Liridonë Kozmaqi./Insajderi.com

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)