Kryeministër, çfarë u bëre studentëve?

Kryeministër, çfarë u bëre studentëve?

Edukimi muzikor përshpejton zhvillimin e trurit të fëmijëve

Kryeministri Ramush Haradinaj mandatin e kishte filluar me shkarkime të bordeve, madje edhe aty ku nuk do të duhej të kishte ndikim politika. Përveç që asnjëherë nuk i arsyetoi bindshëm shkarkimet, Kryeministri as nuk i mbushi vendet e të shkarkuarve. Kështu, ato që Haradinaj pretendonte se po i bënte në të mirë të vendit, rezultuan me pasoja të mëdha – madje, në arsim, aty ku Kosova është më së keqi.

Pasoja më drastike është ajo e djeshmja, kur u mësua se EQAR përjashtoi AKA’në për shkak se erdhi në përfundim se nuk funksionon më e pavarur nga politika. E, nga vendimi i Kryeministri dhe EQAR’së më së shumti e pësojnë studentët.

Në shtator të vitit të kaluar, Haradinaj kishte urdhëruar shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit (AKA), si rrjedhojë e së cilës erdhi edhe përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Pasojat e kësaj janë të mëdha, sidomos për studentët, dhe për to po flasin të gjithë, pos Ministrisë kompetente dh e Qeverisë.

Pas përjashtimit, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Natalya Apostolova ka takuar sot ministrin e Arsimit Shyqyri Bytyqi. Ndërkohë që pas takimit MASHT në njoftimin e saj nuk ka përmendur as edhe njëherë përjashtimin e AKA’së nga EQAR, Apostolova ka treguar se me ministrin ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me këtë çështje.

“Unë e shpreha shqetësimin për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akredimit nga EQAR. Është një kthim mbrapa i sigurimit të cilësisë në Arsimin e Lartë. Ne duhet të sigurojmë mbrojtje të pavarësimit të AKA’së përmes ligjit të ri në Arsimin e Lartë”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Sipas një sqarimi të hollësishëm të dhënë nga EQAR në dokumentin e përjashtimit të AKA’së, thuhet se kjo organizatë kishte kërkuar nga ministri Bytyqi arsyet e shkarkimit të Bordit.

Ministri, sipas EQAR, nuk u ka dhënë informata të hollësishme dhe arsyetimi i shkarkimit të këtij bordit “për parregullsi” nuk mund të merret si i qëndrueshëm.

Së këndejmi, EQAR konsideron se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk funksionon më e pavarur nga politika, që do të thotë se nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të akreditimit.

Lidhur me këtë, ka reaguar drejtori i shkarkuar i AKA’së, Blerim Rexha, i cili thotë se përjashtimi bart pasoja të rënda për studentët. Ai po ashtu pohon se veprimi i EQAR dëshmon se shkarkimi i tij dhe bordit ishte i pabazuar ligjërisht.

“Ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Se shkarkimi i të gjithë anëtareve të Bordit të Agjencisë dhe ushtruesit të detyrës ishte bërë pa bazë ligjore tani po e konfirmon edhe EQAR”, ka shkruar Rexha në Facebook.

Ndaj vendimit kanë reaguar edhe mësimdhënësit në UP.

Profesori Muhamet Hamiti ka shkruar se vendimi arbitrar i kryeministrit për shkarkimin e bordit të AKA’së vetëm dy javë pasi erdhi në pushtet lë pasoja të mëdha, ndërsa për to s’merr përgjegjësi askush.

“Me pasoja të rënda për të gjithë, përveç për këta tanët që kanë marrë vendimin, për të cilin s’ka kush t’i marrë në përgjegjësi, madje as në gjyqin e opinionit publik”, ka shkruar Hamiti.

Kritika për kryeministrin ka pasur edhe Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendres Arsimore të Kosovës. Sipas tij, përjashtimi në fjalë i tregon klasës politike se nuk mund të marrin vendime të menjëhershme dhe të paarsyetuara.

“Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës se vendimet nuk merren duke u bazuar në argumentin e fuqisë, por në fuqinë e argumentit”, thuhet në një shkrim të Pupovcit në Facebook.

AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR’it, e cila është Regjistër i agjencive evropiane të Sigurimit të Cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje me parimet për sigurimin e cilësisë së arsimit në Evropë.

Në një dokument të publikuar dje, AKA u përjashtua nga EQAR, pasi kjo konsideron që agjencia kosovare ka humbur autonominë e saj për të vepruar ndaras nga politika pas shkarkimit të bordit të saj nga ministri me kërkesë të kryeministrit.

Haradinaj vetëm dy javë pasi kishte marrë detyrën e tij, në 25 shtator të 2017’ës, kishte kërkuar shkarkimin e bordit të AKA’së pasi konsideronte se puna e tij ishte përcjellë më parregullsi. /Express/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)