Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Kryetari Imri Ahmeti vizitoi shkollën e re “Kadri Beba” në Ribar të Madh, një investim i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ai ishte i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Rasim Hasani.
Gjatë vizitës, Kryetari dhe Drejtori u takuan me nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa momenti më emocionues ishte takimi me nxënësit e klasës së parë, të cilët sot hapën kapitullin e tyre të parë në rrugëtimin e dijes. Emocioni i tyre, kureshtja dhe entuziazmi për ditën e parë të shkollës përbëjnë frymëzimin më të madh për çdo investim në arsimin e tyre.
Kjo vizitë përputhet me vizionin dhe përkushtimin e Kryetarit gjatë mandatit të tij, ku janë ndërtuar dhe rinovuar shkolla moderne me standarde të larta, duke krijuar kushte optimale për mësimdhënie dhe zhvillim të nxënësve. Përveç shkollës “Kadri Beba”, gjatë këtyre viteve janë investuar edhe shumë objekte të tjera arsimore, duke transformuar infrastrukturën shkollore dhe duke sjellë mjedise më të sigurta, funksionale dhe moderne për fëmijët dhe mësuesit.
Kryetari uroi që ky vit shkollor të jetë i mbushur me suksese, dije dhe përvoja të bukura për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke theksuar se investimi në arsim është investim në të ardhmen e komunitetit dhe të çdo fëmije.
COMMENTS