Kryetari i Shtimes kërcënon, fyen e shantazhon gazetarin e KOHËS, Agim Ademi

Kryetari i Shtimes kërcënon, fyen e shantazhon gazetarin e KOHËS, Agim Ademi

A duhet të dekorohet Lipjani për festat e fundvitit: Komuna e kërkon mendimin e qytetarëve

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka keqpërdor mbledhjen e Kuvendit Komunal për të kërcënuar, fyer e shantazhuar gazetarin e KOHËS, Agim Ademi, pas publikimit të një storie lidhur me dyshimet për keqpërdorime në tenderin e druve për institucionet arsimore. KOHA dënon gjuhën fyese e kërcënuese të Aliut

Pas një storie të publikuar nga KTV-ja javën e kaluar, nën dyshimet se në Shtime janë keqpërdorur drutë për ngrohje nëpër institucione shkollore, kuvendarët kanë debatuar në një pikë të veçantë në mbledhjen e fundjavës. Ndërkaq, për këtë temë kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, ka kërcënuar, fyer e shantazhuar gazetarin Agim Ademi. Aliu ka keqpërdorur mbledhjen e Kuvendit për të bërë presion ndaj mediave e pikërisht ndaj gazetarit Ademi. Nuk është hera e parë që kryetari Aliu e etiketon gazetarin Ademi në mbledhjet publike të Kuvendit.

Kryetari Aliu fillimisht ka akuzuar opozitën dhe mirëmbajtësin e shkollës “Emin Duraku”, Avdi Bungu, i cili pati deklaruar se në këtë shkollë mungojnë 80 metra dru. Ndërkaq, gazetarin Ademi e ka quajtur pjesë e klanit “Pronto”.

“Zotri Jakupi e keni gjetur një gazetar ‘prontist’ siç është Agim Ademi, ai është prontist sikurse jeni edhe ju. E keni shfrytëzuar edhe injorancën e një punëtori teknik atje dhe po bëni storie çdo javë. Me kësi storie i bini shpullë vetes, sepse keni për ta parë se po bëni shumë zhurmë për asgjë”, ka thënë Aliu.

Ai gjatë mbledhjes në fundjavë ka vazhduar edhe me kërcënime e presione të tjera ndaj gazetarit Ademi.

“Sa e thërret Agim Ademin me të ba lajme, më mirë fol këtu. Sa i përket këtij gazetari që ka qëlluar fatkeqësisht korrespodent do të mundohem ta takoj pronaren e KOHËS, merru se ta kanë kap dhe ta kanë ble ai zotëria atje që bën kronika për qejf të vet, shpif dhe i godet edhe kolegët e vet”, ka shtuar Aliu.

Rreth kësaj teme ka pasur debate edhe nga pozita.

‘’Ai Agim Ademi që ju po e përmendi është një gazetar profesionist dhe neve na ka sulmuar kur kemi qenë në pushtet, mirëpo ne nuk e kemi thirrë drejtoreshën e tij për të ndërhyrë në punë të mediave. Kjo është drejtpërdrejt ndërhyrje në media dhe besoj se do ta kesh edhe reagimin e Asociacionit të Gazetarëve”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Rrahman Jakupi.

“Erdhe me një mllef, edhe me një nervoz të akuzave, i akuzove krimet ekonomike, e akuzove shefin e opozitës, i akuzove mediat për pretendimet për keqpërdorime në ekzekutivin e komunës. Nuk kisha pasur dëshirë të shoh në këtë gjendje ty kështu. Çka ka faj gazetari i Koha.net, sepse ky është mediumi më i vlerësuari në Kosovë që e ka dhënë dhjetëshin edhe para luftës, ai gazetar e përfaqëson mediumin e jo vetveten”, ka thënë kuvendari i PDK-së, Përparim Ramuza.

Grupi KOHA dënon gjuhën fyese e kërcënuese të kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, ndaj gazetarit Agim Ademi, si dhe keqpërdorimin e hapësirës publike e të pozitës së kryetarit për të përçuar mesazhe kërcënimi ndaj mediave.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)