Lideri Vetëvendosjes Albin Kurti në një postim në profilin vet të Facebookut ka përkujtuar ditën kur në burgun e Lipjanit në të cilin gjendej edhe vetë, ishin transferuar të plagosur që i kishin mbijetuar masakrës së Dubravës në majin e vitit 1999, transmeton Koha.net.
Sipas Kurti disa nga të plagosurit kishin vdekur më pas nëpër burgje e spitale
Ky është postimi i Kurtit:
“Ishte 24 maji i vitit 1999 kur në Burgun e Lipjanit në të cilin ndodhesha vetë, sollën shumë të burgosur. Ishin më shumë se zakonisht, nuk ishin rishtas të arrestuar si zakonisht, dhe kësaj radhe kishte edhe të plagosur midis tyre.
Prej datës 19 maj e deri në 24 maj të vitit 1999, pra 19 vite më parë, ndodhi Masakra e Dubravës. U vranë në mënyrë sistematike, me ekzekutime klasike të burgosurit e burgut të Dubravës që ndodhet afër Burimit. Mes tyre shumica dërrmuese ishin të burgosur politikë, e kishte edhe të burgosur ordinerë, të cilët ishin grumbulluar ato ditë nga burgjet e largëta nëpër Serbi.
Grumbullimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgun e Dubravës ndodhi në ditët e para të majit ’99, siç u mësua më vonë, për arsye të informacionit që kishte pushteti serb, se në atë zonë do të bombardonte NATO-ja. Mbi gjysëm shekulli pas përfundimit të luftës së dytë botërore, në Kosovë u instalua një kamp përqendrimi. Me këtë rast pushtuesi mizor vendosi t’i heqë qafe të burgosurit politikë me dorën e tjetrit. Kështu ata llogarisnin që edhe patriotët shqiptarë të burgosur vriteshin, edhe fajin për fatin fatal të tyre, t’ia linte NATO-s, ashtu siç tentoi ta plasojë me mediet e saj.
Bombardimet e NATO-s ndodhën në datat 19 dhe 21 maj, duke lënë të vrarë 23 të burgosur. E me datat 22 dhe 23 maj, vetë forcat e armatosura serbe që ndodheshin në burg (gardianë, policë, ushtarë, paramilitarë e madje edhe të burgosur ordinerë serbë të armatosur enkas për atë situatë) filluan masakrën ndaj shqiptarëve që ende kishin mbetur gjallë. Mbi 120 të burgosur të identifikuar u vranë, ndërsa mbi 300 të tjerë u plagosën rëndë e lehtë prej granatave dhe breshërive të mitralozave e armëve të tjera të zjarrit.
Ata që mbijetuan, në datën 24 maj u transferuan nëpër burgje e spitale, ku ka pasur edhe të tjerë që kanë humbur jetët. Njëri prej tyre, të cilit nuk ia di emrin, vdiq në mbrëmjen e 10 qershorit 1999 në Burgun e Pozharevcit, në Pavilonin VI ku isha edhe unë, pasi që na rrahën të gjithëve, pa kursyer as të plagosurit.
Sot jemi me fat që kemi ende në mesin tonë disa prej të mbijetuarve të asaj masakre, të cilët mund të dëshmojnë e të na tregojnë për tmerret çnjerëzore që kanë parë e kanë përjetuar. Deri më tani, si drejtësia vendore ashtu edhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar krejtësisht (për të mos thënë se nuk patën as vullnet e interesim) të ndjekin e dënojnë kriminelët që organizuan dhe ekzekutuan planin morbid të kësaj masakre.
E përkujtojmë me dhimbje këtë ngjarje të rëndë të historisë sonë. Kemi kaluar nëpër vuajtje të mëdha, si komb e si shoqëri. Ato dhimbje e vuajtje na kanë bërë këta që jemi sot. Ato dhimbje e vuajtje ua trashëgojmë edhe fëmijëve e gjeneratave të reja, ashtu siç u trashëgojmë fatkeqësisht edhe varfërinë e moszhvillimin tonë kolektiv. Janë ngjarje të paharrueshme, janë plagë që nuk mbyllen. Veç drejtësia, dhe lejimi e ndihma që Kosova të hyjë në rrugën e zhvillimit e konsolidimit shtetëror mund të jetë ilaç për plagë të tilla”.
COMMENTS