Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, përmes konferencës së jashtëzakonshme ka thënë se nga prokuroria Speciale e Kosovës është caktuar prokurori i ri që do të merret me rastin e veteranëve, pasi që prokurori i këtij rast Elez Blakaj dha dorëheqje. Mirëpo kryeprokurori nuk tregoi se cili prokuror e ka marrë rastin. Express, mëson se favorit për ta udhëhequr këtë proces është prokurori special, Haki Gecaj. Ky fundit as nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar këtë lajm.
Gazeta Express, ka kontaktuar prokurorin special, Haki Gecajn. I pyetur nëse i njëjti do ta udhëheqë lëndën që e la në gjysmë Blakaj, ai ka hezituar që të përgjigjet. Mirëpo Gecaj as nuk e ka mohuar e as nuk e pohuar lajmin se ka marrë besimin për ta udhëhequr këtë lëndë.
“Unë nuk ju përgjigjem në këtë pyetje. Nuk ju them as po e as jo”, i ka thënë shkurt Express’it prokurori Gecaj.
E ndërkohë rreth emrit të prokurorit të ri ka hezituar që të flasë edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi. Ai ka thënë se kjo gjë do të dihet brenda 10 ditësh.
“Ne kemi vendosur që deri sa të kryhet aktakuza të mos flasim për emrin e prokurorit. Ne dëshirojmë të kemi një proces transparent. Por për emra është vendosur që të mos flitet. Pas 10-ditëve do të dihet se kush është prokurori”, i ka thënë gazetës kryeprokurori Aleksandër Lumezi. As ky i fundit nuk e ka mohuar e as pohuar pyetjen nëse prokurori special Haki Gecaj do të merret me lëndën e Blakajt.
Prokurori tashme i dorëhequr Elez Blakaj kishte dorëzuar aktakuzën më 11 korrik, te shefi i tij Reshat Millaku, por Lumezi sot tha se prokurori i ri do te merret me plotësimin e saj dhe procedimin e mëtejm në gjykatë siç kërkohet me ligj.
COMMENTS