Euro e ka nisur javën e zhvlerësuar në raport me lekun në tregun vendas. Monedha e përbashkët u këmbye sot në nivelin e 133.36 lekëve, apo 0.05 lekë më pak se fundi i javës së kaluar. Ky është niveli më i ulët që prej fillimit të shtatorit, ku euro këmbehej poshtë nivelit të 133.4 lekëve. …
Që prej datës 13 tetor, euro ka hyrë në një trajektore rënëse edhe pse diferencat kanë qenë të vogla. në të njëjtën periudhë një vit më parë euro filloi të zhvlerësohej me ritme të shpejta, duke zbritur poshtë nivelit të 137 lekëve, rreth 3 lekë më shumë se niveli aktual i këmbimit.
Ekspertët e këmbimit valutor pohuan për Monitor se nuk është një trend normal i valutës, pasi historikisht me përfundimin e efekteve sezonale (fundi i sezonit turistik dhe i fluksit të emigrantëve), monedha e përbashkët forcohej. Arsyet e nënçmimit të euros, sipas ekspertëve, argumentohet me ofertën e lartë të valutës në treg dhe më qarkullimin e ulët të monedhës vendase.
Përpos ofertës së lartë të valutës, ekspertët e argumentojnë zhvlerësimin edhe me qarkullimin e ulët të lekut në vend për shkak të rënies së konsumit.
Forcohet dollari
Nënçmimi i euros në bursa, nën nivelin e 1.16 dollarëve, është reflektuar në forcimin e monedhës së gjelbër. Dollari amerikan është këmbyer sot në tregun vendas me 114.93 lekëve, 0.37 lekë më shumë se fundi i javës që lamë pas.
Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, niveli i këmbimit euro/lek nuk ndikohet prej zhvillimeve në bursa, por nga niveli ofertës dhe kërkesës për valutë në vend. Zhvillimet në bursa reflektohen në nivelin e këmbimit dollar/lek.
COMMENTS