Ish-ylli i Arsenalit, Ian Wright beson se Arsene Wengeri u detyrua të njoftojë vendimin për largim nga klubi.
Klubi londinez përmes një komunikate, të premten njoftoi se Wengeri do të largohet nga posti i menaxherit në fund të këtij sezoni, edhe pse i kishte mbetur një vjet në kontratën aktuale.
Francezi u ka rezistuar thirrjeve të tifozëve për largim tash e sa vjet dhe pas një serie kritikash ai në majin e vitit 2017 vazhdoi kontratën edhe për dy vjet.
Wright që ka fituar titullin e Premier Ligës me Wengerin në sezonin 1997-98, dyshon se 68-vjeçari u detyrua të largohet për shkak të formës që kishte ekipi prapa skenës.
“Arsene Wenger është njeri i principeve, sinqeritetit dhe integritetit, për këto arsye jam i bindur se ai u shkarkua dhe nuk dha dorëheqje”, ka thënë Wright në një kolumne të shkruar për gazetën “The Sun”, transmeton Koha.net.
“Përkundër atyre abuzimeve ndaj tij, Arsene kurrë nuk është dorëzuar para se t’i skadonte kontrata. Është situatë e keqe që vjen nga kjo gjë dhe nuk besoj se do ta gjejmë përgjegjësin sepse ata fshihen prapa njëri-tjetrit”.
Të kundërtën e asaj që beson Wright e mban Goal.com që sipas burimeve të veta raporton se Wengeri u largua me vendim personal.
COMMENTS