Është prej grave të para apo të vetme me gati 20 vjet përvojë punë në fushën e sigurimit fizik në Kosovë. Fahrije Rexhepi nga komuna e Lipjanit e cila që nga viti 2002 kishte ushtruar punën e të bërit mbrojtje fizike për persona të caktuar, në një rrëfim për Periskopin ka treguar në kronologji mbi përvojën e saj, aventurat e këtij profesioni por edhe të rreziqeve që i janë kanosur.
Roli i saj si sigurim ka qenë kryesisht nëpër kafene të natës, ahengje të organizuara prej shkollave, pishinave, por raste-raste edhe diskotekave të natës, siç është ajo e famshmja ‘Princess Palace’, e madje një herë kishte pasë rastin të bënte sigurimin edhe në ditëlindjen madhështore të politikanit Behgjet Pacolli.
Fahrija tregon se kësaj pune i kishte hyrë në mënyrë shumë spontane.
‘’Unë kam qenë gjithëherë sportiste, gjithëherë jam marrë me sport. Kam stërvit në moshë shumë të re, kam shku edhe në karate. Kemi ushtru edhe në shtëpi fitnes. Kjo u nis sikur hajgare. Unë kam nejt përpara shumë në një lokal aty në Lipjan. Aty ka qenë një festë për Bajram, ka pasë shumë njerëz. Shoqëria më ka thënë a po i shtin me rend, a po i drejton. Edhe prej qatij momenti kam fillu. Pastaj kur kanë nis me u hap klubet e mëdha, çdokush që më ka njohur, më ka propozu për sigurim. Se Fahrija është ndër të parat. Nëpër diskoteka jam e kërkuar shumë, por nuk kam pranu’’, ka thënë Fahrija.
Ajo në veçanti tregon për natën kur i është dashur të bëjë sigurimin në shtëpinë e Pacollit në Hajvali.
‘’Ka qenë ditëlindja e Behgjet Pacollit. Është kërku sigurim edhe femrat. Më kanë bë thirrje me shku. Aty kanë qenë diku 14 këngëtarë të njohur. Pas Pacollit, kam punu veç edhe një herë edhe më kanë thënë që nuk e punoj më dhe e kam ndërpre’’, ka thënë ajo.
Fahrije Rexhepi kontrolle ka ushtruar veç ndaj gjinisë femërore, ku tregon një detaj mjaft interesant. Sipas saj, tash e 20 vjet asnjëherë s’kishte rastisur që në çantën e ndonjë femre apo në rrobat e saja të gjejë ndonjë armë.
‘’Në shtete tjera mbajnë mbajnë sprej, thika, tek ne asnjëherë s’kam hasë për 20 vite me gjet në ndonjë çantë të një femre, dicka që është e jashtëligjshme. Përveç që ka pasë telefona dhe gjësende të femrave’’, shton ajo.
E Fahrija thotë se në përgjithësi asnjëherë s’ka hasur në rrezik për jetë, por tregon një ngjarje kur ka ndërhyrë suksesshëm me taktikat e saja prej sigurimi.
‘’Ka pasë ndërhyrje me thikë, i thash lësho thikën e ka lëshu. Ia kam prek me këmbë dhe e kam shti nër kerr. Kjo ka qenë te Princessa Palace. S’ka pasë rast kur kam qenë unë e rrezikuar me jetë’’.
Ajo përgjatë pandemisë nuk ka qenë fare e angazhuar, duke theksuar edhe mos mbështetjen prej shtetit përgjatë kësaj situate.
Mirëpo, Fahrija tashmë ka vendosur të tërhiqet komplet krej këtij profesioni, madje shumë e dëshpëruar.
‘’Është punë pak e komplikume me njerëz, se njani thotë moe lësho kërkon, tjetri thotë pse e ke ndalë. Kjo më ka pengu më së shumti. Pandemia jo vetëm në të timen, por edhe të kolegëve të mi ka ndiku shumë se gjithë kanë mbet pa punë. Nuk e kanë marrë asnjë ndihmesë prej shtetit. S’ka pasë tubime e koncerte. Unë si profesion mendoj me u shkëput. Ky profesion të lë në rrugë, nuk të ofron asgjë’’, përfundon Fahrije Rexhepi.
COMMENTS